Të paktën 6 emigrantë klandestinë, mes të cilëve dy fëmijë, kanë vdekur
të mbytur si pasojë e fundosjes së varkës në të cilën po udhëtonin
bashkë me disa persona të tjerë, në përpjekje për të arritur Greqinë.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat helene, sipas të cilave incidenti ka ndodhur gjatë orëve të natës, në brigjet e ishullit Lesvos, në Egjeun lindor. Tetë persona të tjerë janë shpëtuar nga roja bregdetare.

Mjeti lundrues, kanë treguar të mbijetuarit për skuadrat e shpëtimit, papritur ka filluar të fusë ujë për shkaqe të panjohura dhe në një kohë të shkurtër është fundosur.

Nga informacionet e para të mbledhura, emigrantët, kombësia e të cilëve nuk dihet ende, ishin nisur nga brigje pranë me Turqinë dhe ishin drejtuar për në Evropë. Klandestinët e shpëtuar janë dërguar në spitalin e ishullit.

Brigjet greke shpesh herë joshin popujt afrikanë dhe ata të Lindjes së Mesme të përfshirë në konflikte luftarake, të cilët për të shpëtuar nuk hezitojnë të ndërmarrin rrugën e rrezikshme të emigracionit klandestin.

Shpesh herë qeveria greke ka kërkuar që çështja të trajtohet në nivel evropian, por Unioni në shumicën e rasteve ka qëndruar indiferent ndaj thirrjeve të Athinës.

Top Channel