Të gjithë pësojmë humbje. Nga ato të voglat, si për shembull humbje në peshë; nga ato të rëndësishmet si për shembull humbja e punës dhe në fund janë humbjet që atë çfarë lënë nuk e kthen dot pas si për shembull humbja e më të dashurit, kushdo qoftë: babai, nëna, vëllai, bashkëshorti dhe në fund fëmija.

Nuk do them gjë për atë që është e papërshkrueshme, por do them diçka për atë që jo çdokujt i vjen natyrshëm të bëjë pasi ka humbur dikë: TË JETË KRIJUES.

Si do t’i përgjigjeshit dikujt që shokët i thonë që i ati i ka vdekur dhe ai i trishtuar të pyet nëse kjo është e vërtetë sepse deri tani ka dëgjuar që babin e vet e ka në qiell dhe e gjithë çfarë i kanë thënë shokët është kaq e çuditshme.

Po një vajze që është e mërzitur se shoqet e veta merren nga baballarët e tyre dhe ajo nuk e ka provuar si është të të marrë ndonjëherë babai?
Nuk është koha për të qarë, as për të evituar pyetjen, por është tamam koha për të qenë krijues dhe për t’i sjellë fëmijëve qetësinë që kanë nevojë kur bota brutalisht ose jo do i tregojë troç dhe të papërpunuar atë që tashmë këta fëmijë dhe shumë të tjerë e kanë çdo ditë me vete.

Boshllëkun, atë për të cilët ata realisht do e kuptojnë më mirë avash-avash me rritjen dhe që do vendosin vetë se çfarë duhet të bëjnë me të.

Për vete mora frymë thellë. Në fillim mendova që ajo pyetja ishte absurde dhe në momentin e parë duhej të thoja “jo, nuk është e vërtetë. Por, duke marrë edhe një herë frymë thellë vendosa të sillja krijueshëm në vëmendje të djalit tim që në fakt e vërteta ajo është, por më e bukur duket kur themi që babi ka vajtur në qiell. Kjo do të thotë që ka një vazhdueshmëri. Nuk ka humbur dhe nuk është mbyllur diçka vetëm pse ka emrin vdekje, por është e nevojshme që edhe për këtë të zgjedhim fjalën që i përshtatet më bukur dhe që është e vërtetë. Njëlloj si fjalët magjike “faleminderit” apo “të lutem”.

Përsëri mora frymë thellë dhe vajzës sime krijueshëm duhet t’i nxirrja në pah që ajo ka diçka që shoqet e saj nuk e kanë. Babi i saj është gjithmonë me të. Shoqet e kanë babin ose në mëngjes kur i çon te kopshti ose mbasdite kur i merr, por asnjëra nga ato nuk e ka çdo minutë, çdo orë, çdo kohë me vete.

Buzëqeshjet erdhën në vend dhe mbase shumë shpejt do vijnë pyetje të tjera për vdekjen të cilat do më ndihmojnë të jem krijuese, por në thelb duke thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

T’i tregosh një 5-vjeçari se çfarë është divorci

Gabrieli është 5 vjeç dhe babain e sheh 2 herë në vit. Për Krishtlindje dhe për pushime verore. Edhe pse është kaq i vogël, ai e di shumë mirë se përse jeton pa babain e tij.

Nevila, e ëma, ka vendosur që t’i tregojë për aq sa mund të kuptojë një 5-vjeçar të vërtetën. Se si ajo u dashurua me babain e Gabrielit, ndërsa ishte me studime në Amerikë. Se si u martuan dhe sollën në jetë një fëmijë kaq të bukur sa ai. Por, se ndonjëherë ndodh që gjërat mes dy të rriturish nuk shkojnë aq mirë sa duhet dhe se do ishte më mirë që ata të jetonin të ndarë.

Kjo bisedë ndodh të përsëritet sa herë vjen ndonjë ngacmim nga jashtë, si për shembull ndonjë pyetje nga shokët e kopshtit se pse babai i Gabrielit jeton larg.

Në fakt, Nevila nuk kishte parashikuar një ndarje me kaq shumë distancë. Kthimi në Shqipëri u vendos në një farë mënyre spontanisht, pas gjetjes së një pune të mirë dhe përshtatjes së menjëhershme të Gabrielit, i cili në atë kohë fliste vetëm anglisht.

Pas 2 vitesh e gjysmë ai flet shumë mirë shqip edhe pse herë pas here dy gjuhët përzihen me njëra-tjetrën. Sepse ai është një amerikan. Tipik. Jo vetëm në paraqitje, por edhe në karakter.

Raporti “Shriver”, 42 milionë nëna beqare në Amerikë jetojnë në varfëri

Rreth 42 milionë nëna të vetme amerikane jetojnë në varfëri apo në kufi të saj dhe pikërisht për këtë, Maria Shriver, gazetarja e njohur amerikane, autorja e 6 librave best-seller, ka realizuar një dokumentar që u shfaq dje për herë të parë në Shtetet e Bashkuara.

Dokumentari ka në qendër një nënë beqare që përfaqëson një nga 42 milionë gratë amerikane që jetojnë në varfëri. Ajo quhet Katrina Gilbert dhe rrëfen vështirësitë me të cilat përballet përditë për të rritur 3 fëmijët e saj dhe këtu nuk bëhet fjalë për faktin se humbi një ndeshje futbolli me të birin pasi s’e linte dot punën, por sepse nuk përballon dot të blejë qofte dhe një dhuratë ditëlindjeje sepse paguhet vetëm 9 dollarë e gjysmë në orë.

Gilbert është subjekti i “nga fatura në faturë, jeta dhe koha e Katrina Gilbert”. Një dokumentar që për një orë tregon përditshmërinë e një nëne beqare që punon si infermiere, por që i duhet të zgjedhë nëse duhet të paguajë për ilaçet e saj apo për procedurat për të përfunduar divorcin.

Shriver ka thënë se dokumentari nuk ka të bëjë me feminizmin, por thjesht me jetën e përditshme të një gruaje amerikane. Të një gruaje që i duhet t’u shpjegojë fëmijëve që nëse nuk i veshin palltot, do të sëmurën dhe asaj i duhet të qëndrojë në shtëpi dhe për këtë mund të humbasë dhe punën. Ajo nuk paguhet për ditët që mund të qëndrojë në shtëpi. Faturat 765 dollarëshe që duhet të paguajë çdo dy javë, mezi e lënë të marrë frymë familjen. Gilbert është shembulli i një nëne të përkushtuar që bën çdo gjë që duhet, por që nuk ka mundësi qoftë dhe për një pushim të shkurtër.

Në një intervistë, Shriver tha se këto nëna janë në kufirin e varfërisë dhe se nuk vrapojnë duke ngritur lart flamurin e feminizmit, por thjesht janë nëna moderne që bëjnë gjithçka vetë dhe kanë nevojë për ndihmë. Sipas saj, jeta e tyre nuk reflektohet në media, prandaj dhe mori inisiativën që të realizonte këtë dokumentar.

Top Channel