
Skandali me naftën e armos, që po shitet në tregun vendas duke kërcënuar
seriozisht shëndetin e qytetarëve është një fenomen i vjetër që vazhdon
prej vitesh, dhe që ngre pikëpyetje të mëdha mbi rolin e institucioneve
që duhet të kontrollojnë këtë treg.
Në bazë të ligjeve në fuqi institucion që ka detyrimin për të kontrolluar cilësinë e naftës që shitet në tregun e brendshëm për të mbrojtur qytetarët dhe shëndetin e tyre nga abuzimet është Inspektoriati Qendror Teknik. Por një ditë më parë emisioni investigativ ‘Fiks Fare’ faktoi se nafta që po prodhon aktualisht rafineria e Ballshit dhe që po shitet në treg, ka një përmbajtje squfuri nga 4 deri në 5 herë më të lartë se norma e lejuar e ligjit, cka sipas mjekëve kërcënon deri me jetë shëndetin e qytetarëve.
Top Channel kontaktoi me Drejtorin e Inspektoriatit Qendror Teknik, Ardian Çela i cili deklaron se ky institucion ka certifikuar dy depozita të ARMO-s dhe ato kanë qënë brenda standardeve.
Zoti Çela tha se pas denoncimit në ‘Fiks Fare’, IQT ka kërkuar informacion dhe do të bëjë të tjera verifikime për karburantin e ARMO-s, por deklaron se kjo sasi nuk është pjesë e atyre që ka certifikuar IQT. Rafineria e ARMO-s ka qenë e mbyllur që nga shkurti i vitit të kaluar për shkak të arsyeve që lidhen me problemet financiare dhe ndërrimit të pronësisë.
Pak kohë më parë, ARMO e shitur tek pronarët e rinj rinisi prodhimin dhe për këtë u certifikua nga Inspetoriati Teknik. Por pas certifikimit, ashtu siç faktoi një ditë më parë ‘Fiks Fare’, kompania ka vazhduar sërish të prodhojë dhe shesë në tregun e brendshëm një naftë, e cila sipas analizave të kryer nga laboratorët në Kosovë dhe Maqedoni është në shkelje të ligj dhe kërcënim i madh për shëndetin e qytetarëve.
Por përtej Inspektoriatit, shitja e naftës jashtë cilësisë në treg ngre pikëpyetje të forta edhe mbi koncesionin e shumëpërfolur të markimit. Vitin e kaluar Qeveria e mëparshme ja dha të drejtën e ngjyrosjes së karburanteve një kompanie private për dhjetë vjet, e cila sipas Qeverisë do t’i jepte fund abuzimeve me cilësinë e karburantit në treg. Për këtë shërbim, Qeveria u ngarkoi qytetarëve një kosto prej 20 milionë eurosh në vit. Para të cilat paguhen nga konsumatorët në cmimin e naftës dhe që shkojnë në arkat e kompanisë,që duhet t’i mbronte ata nga abuzimi me cilësinë e karburanteve. Por sic u faktua një ditë më parë nga ‘Fiks Fare’, edhe pse po paguajnë një faturë të kripur, qytetarëve po vazhdon t’u shitet karburant, jo vetëm pa cilësi, por që rrezikon seriozisht edhe jetët e tyre.
Top Channel