Ndotja nga ujërat e zeza, plazhet në rrezik

19/03/2014 00:00

Në prag të sezonit të ri turistik, situata në bregdetin shqiptar
paraqitet mjaft problematike si pasojë e ndotjes nga ujërat e zeza.

Sipas Entit Rregullator të Ujit në zonat me potencialin më të madh turistik bregdetar në vend, nuk janë vënë ende në funksion impiantet e trajtimit të ujërave të zeza.

“Ende Vlora nuk ka vendosur në funksionim të plotë impiantin e trajtimit. Po kështu Saranda nuk ka vendosur imptiantin e trajtimit, që do të thotë që është një pikëpyetje e madhe, një njollë e madhe për turizmin. Ky shërbim është tregues i rëndësishëm për një vend që do të vlerësojë turizmin. Durrësi e ka vendosur impiantin e trajtimit vetëm për 40 per qind”, tha Avni Dervishi, kryetar i Entit Regullator të Ujit.

Në raportin vjetor të Entit Rregullator të Ujit, zoti Dervishi renditi cilësinë e ujit si një nga problematikat kryesore në këtë sektor.

‘Në një vend me rezerva hidrike të mira është e pafalshme që qytetarët shqiptarë të mos kenë ujë cilësor”, tha Dervishi.

Humbjet e ujit në masën 68 % janë një tjetër problem shqetësues, të shkaktuara 40 % si pasojë e rrjetit të amortizuar, ndërsa pjesa tjetër përfitohet ilegalisht.

Top Channel