Parlamenti grek ka votuar dhe ka aprovuar me shumicë votash në parim në mbrëmjen e së martës Kodin e Emigracionit dhe Integrimit Social.

Për të kanë votuar pro deputetët e koalicionit qeveritar të Demokracisë së Re dhe PASOK-ut, si dhe ata të së Majtës Demokratike, ndërkohë që kanë abstenuar deputetët e partisë më të madhe opozitare, SYRIZA.

Kundër projektligjit kanë votuar Partia Komuniste, Grekët e Pavarur dhe Agimi i Artë. Sipas zv/ministrit të Brendshëm, Leonidhas Grigorakos, nëpërmjet këtij ligji jepet rasti të rregullohen çështje të cilat për vite ishin të papranueshme për shoqërinë greke.

“Ligji i ri na çon një hap para, por nuk na zgjidh problemin e madh të emigracionit të paligjshëm”, ka thënë Grigorakos, i cili ka bërë thirrje për propozime konkrete në përmirësimin e tij.

Me anë të këtij kodi për emigracionin, qeveria greke deklaron se më në fund luftohet burokracia, merren masa për mbrojtjen e familjeve, ofrohen stimuj për emigrantët që qëndrojnë prej shumë kohësh në Greqi, por edhe u jepet të rinjve e drejta që të studiojnë dhe të kenë akses të drejtpërdrejtë në tregun e punës.

Midis të tjerash, me anë të këtij projektligji të ri u jepet e drejta emigrantëve të ligjshëm, të pajisur me lejen pa afat, të largohen nga Greqia drejt vendeve të tjera të Shengenit. Gjithashtu, mbi 22.000 emigrantë që kanë çështjet e tyre të legalizimeve në gjykata, nëse kanë dokumentacionin përkatës do të legalizohen.

Përsa u përket emigrantëve që nuk kanë dokumentat përkatëse në Greqi, ligji bëhet më i ashpër dhe nuk lejon asnjë lehtësim, përkundrazi përshpejtohet dëbimi i tyre drejt vendit nga kanë ardhur.

Vlerësohet se shtetasit shqiptarë me lejë të rregullta qëndrimi në Greqi janë rreth 380.000 vetë dhe përbëjnë kontigjentin më të rregullt të të huajve në vend, pasi janë familjarë në përgjithësi.

Në të kundërtën, nga 20.000 pakistanezë 19.000 janë burra, ndërsa edhe nga 20.000 ukrainas, 19.000 janë gra. Përveç këtij ndryshimi të madh, kodi i ri i emigracionit përmban edhe disa dispozita që përmbledhin dhe modernizojnë legjislacionin përkatës.

Kështu kategoritë dhe llojet e lejeve të qëndrimit  reduktohen nga 50 në 19. Gjithashtu, eliminohen rreth 20 dokumenta për rinovimin e lejes së qëndrimit dhe krijohen pikat “onë stop shop” në të gjitha qendrat e mëdha urbane, ku emigrantët e ligjshëm do të marrin lejet e qëndrimit të cilat vështirë se do të mund të falsifikohen.

Kodi i ri bashkon në 140 paragrafe të shkruara në gati 100 faqe 20 ligjet e deritanishme, 6 urdhëresat presidenciale dhe 42 aktet ligjore ekzistuese. Gjithashtu, ai ofron, sipas qeverisë, kushte të favorshme për fëmijët e emigrantëve lindur në Greqi, të cilët do të marrin menjëherë leje qëndrimi me kohë të zgjatur.

Top Channel