Adoleshentë të alkoolizuar?!

20/03/2014 00:00

Çdo ditë në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” paraqiten të paktën 8 adoleshentë të alkoolizuar në gjendje të rëndë. Mjekët thonë se 30% e rasteve kanë varësi nga pija, duke bërë kështu që të rritet numri i personave të alkoolizuar. Por, rastet janë edhe më të shumta në fundjavë, kur një pjesë e mirë e të rinjve dalin për jetë nate.

“Në një vështrim të përgjithshëm duhet të deklaroj këtu se jemi përpara një problemi mjaft serioz. Për shkak të, jo vetëm situatës klinike, por problematikës që mbartin një pjesë e tyre, është shumë alarmante të shikosh të rinj të moshës 14-15 vjeçare që vijnë të dehur e të intoksikuar në Urgjencë. Ne kemi statistikat tona, rreth 30-40% e aktivitetit të punës sonë lidhet me pacientë me probleme me alkoolin. Nuk ka ditë që të mos vijnë në Urgjencë 8-10 ose edhe më shumë persona të alkoolizuar. Situata bëhet edhe më e mprehtë në ditë të caktuara festash, apo gjatë fundjavave të pushimit. Numri ndonjëherë shkon edhe në 20 apo 30 vetë, ka pasur raste që kanë ardhur edhe grupe të tëra individësh, që vijnë të dehur, të intoksikuar. Të rinj të varur, për fat të keq, ka plot. Mosha nën 30 vjeç e tyre zënë rreth 30% të të gjithë rasteve, që shtrohen këtu me probleme madhore të varësisë ndaj alkoolit. Duhet me çdo kusht të kemi një program kombëtar të ndërhyrjes për edukimin, parandalimin primar, por edhe trajtimin e kurimin”, ka deklaruar Prof. Dr. Zihni Sulaj, shef i Toksikologjisë në QSUT.

Për të biseduar për këtë argument dhe një problematikë serioze për shoqërinë tonë, i ftuar në studion e lajmeve gjatë Revistës televizive të Mbrëmjes, ka qenë Skerdi Zahaj, pedagog-psikolog i Universitetit të Tiranës.

Pandi Gjata: Dëgjuam profesorin pak më parë, i cili tha se është një situatë alarmante, një problem i madh për adoleshentët, për të rinjtë që shkojnë të dehur në Urgjencën e QSUT-së, madje jo vetëm 8-10 vetë në ditë, por edhe grupe masive të rinjsh që kërkojnë ndihmë mjekësore. Në të gjithë botën ka probleme me alkoolizimin e adoleshentëve, por në Shqipëri çfarë tregojnë studimet, cila është specifika e këtij fenomeni këtu?

Skerdi Zahaj: Konsumi i alkoolit nga adoleshentët por edhe nga të rinj të tjerë është një fenomen global dhe nuk është se ndodh vetëm në vendin tonë. Megjithatë, sipas studimeve, Europa është kontinenti ku pihet më shumë alkool. Çfarë ndodh në Shqipëri? Sipas qasjeve të teorive të shumta psikologjike, në vendet ku ka një nivel të lartë stresi e papunësie konsumohet më shumë alkool. Nga sa duket, në Shqipëri, të rinjtë gjejnë tek alkooli mundësinë për t’u çtensionuar, gjë që bën që të lidhen me këto pije shumë herët. Qasjet psiko-sociologjike thonë që përdorimi i alkoolit nga të rinjtë është më i tepërt në ato vende që favorizohen edhe nga kultura, pra me siguri edhe prindërit e tyre kanë përdorur apo përdorin alkool.

Pandi Gjata: Mos është një tip trashëgimie, le të themi. Nëse babai është i alkoolizuar edhe fëmijët do të kenë probleme?

Skerdi Zahaj: Pasojat nga alkooli nuk janë vetëm individuale, por edhe sociale, edhe familjare. E gjithë shoqëria vuan nëse të rinjtë konsumojnë alkool. Duhet të bëjmë dallimin: Përdorimi i alkoolit është i ndryshëm nga abuzimi me të, ashtu sikurse dhe nga varësia nga alkooli. Abuzohet me pijet atëherë kur njeriu tejkalon dozat normale, që lejohen zakonisht si për shembull një gotë verë, ose diçka më shumë. Ndërkohë, varësi nga alkooli kemi atëherë kur njeriu nuk bën dot pa pirë alkool. Individët, të cilët shkojnë te shërbimi i Toksikologjisë janë abuzues me alkoolin, ose janë të varur nga pijet, duke e rënduar më shumë situatën.

Pandi Gjata: A është brezi i ri, sidomos adoleshentët që përdorin alkoolin, me prirje të theksuara për të qenë të dhunshëm në shoqëri?

Skerdi Zahaj
: Në fakt, arsyeja përse përdoret alkooli është çtensionimi apo ulja e nivelit të stresit. Alkooli nuk është se shkakton agresivitet, por fakti që individët bëhen në grupe dhe humbasin kontrollin prej pijes mund të lindin tensione të ndryshme, me pasoja të mëdha. Ne jemi të njohur me fenomenin e aksidenteve automobilistike për shkak të tejpërdorimit të alkoolit, pasi shkelen normat e lejuara të shpejtësisë, nuk ndiqen rregullat e qarkullimit e për pasojë shohim edhe një numër shumë të madh viktimash.

Pandi Gjata: Kemi edhe sherre masive, mes grupeve të ndryshme të individëve, kur ndodhen në ambiente festash apo organizimesh të ndryshme…

Skerdi Zahaj: Ky është një nga rastet, kur grupe të caktuara, të ndikuar nga alkooli apo substanca të tjera, janë më të prirur për të shfaqur sjellje të dhunshme dhe sjellje grupale. Para dy vitesh, ne bëmë një studim për studentët që përdorin alkool dhe vumë re se të rinjtë e përdorin alkoolin për dy arsye, le të themi: së pari për të pasur kënaqësi, e për të bërë qejf, gjë që nënkupton se nuk imagjinohej të bëhej një festë pa konsumuar alkool për të qenë i gëzuar; dhe e dyta, për të lehtësuar futjen në marrëdhënie intime me persona të seksit tjetër. Këto janë raportuar nga adoleshentët e shëndetshëm që e konsumojnë alkoolin dhe nuk janë të varur nga pija, apo nuk abuzojnë me të.

Pandi Gjata: Të rinjtë thonë se punësimi mund të jetë një mundësi shpëtimi nga varësia prej alkoolit. Prindërit po ashtu i vënë faj shoqërisë, ambientit, risive të kohës që ka brezi i ri. Si mund të parandalohet, çfarë rekomandohet për brezin e varur nga alkooli, që me thënë të drejtën në shumë raste nuk dinë edhe se çfarë alkooli pinë.

Skerdi Zahaj: Unë nuk mund të flas për cilësinë e alkoolit por sa i përket parandalimit do të doja të ndalesha pak. Shoqëria duhet të funksionojë në disa sfera, në mënyrë që të kemi një ulje të konsumimit të alkoolit. Mungesa e aktiviteteve të tjera është një nga shkaqet, ashtu sikurse dhe papunësia. Në vendet ku papunësia është më e madhe, konsumohet më shumë alkool, po ashtu dhe aty ku stresi është më i lartë. Kur shumë individë vuajnë nga çrregullime të ndryshme psikologjike, apo vështirësi të tjera, duhet të ndërhyjmë pasi alkooli është bashkëshoqërues i tyre. Nëse individët nuk ndërgjegjësohen për problemin e tyre primar, si dhuna në familja, mungesa e mbështetjes familjare, abuzimet e hershme fëminore, atëherë rrugëzgjidhja gjendet tek alkooli dhe jo te shoqëria. Gjithashtu, planet e edukimit apo parandalimit nëpër shkolla janë të mangëta, pasi shumë të rinj konsumojnë pije alkoolike, sepse kanë besime të gabuara për alkoolin, duke menduar se kështu do të zgjidhin problemet dhe do të ndihen më mirë. Këto efekte të para ‘pozitive’ në fakt ulin pasojat negative që ata gjejnë kur shkojnë te shërbimi toksikologjik, si dëmtimet fizike, lodhja, pasojat mjekësorë për shumë vite me radhë, por edhe sëmundjet që lindin si pasojë e përdorimit të alkoolit.

Top Channel