Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi ka akuzuar partinë më të madhe maqedonase në opozitë, LSDM, për një fushatë të orkestruar kundër tij në mediat që kontrollon, për shkak se ka refuzuar bashkëpunimin me kreun e kësaj partie, Zoran Zaev.

“Është vetëm një sqarim para opinionit dhe sidomos para shqiptarëve pse ky sulm kaq i ashpër dhe i fëlliqur i LSDM-së ndaj meje, që mundohen edhe babën të ma rrotullojnë në varr, është se unë nuk pranoj as me ata as me të tjerë që të punoj në raporte të vasalitetit. Ky është vetëm një sqarim që nuk ka të bëjë me kurrfarë denoncimi”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërsa zëdhënësi i PDSH-së, Luan Tresi, në një konferencë për media ka publikuar disa porosi në formë sms-je që lideri i LSDM-së, Zoran Zaev i ka dërguar në celularin e Menduh Thaçit, për të kërkuar bashkëpunim të fshehtë në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

“PDSH-ja dhe kryetari i PDSH-së refuzojnë të bëjnë marrëveshje nëntokësore dhe sekrete me cilindo. Ky është virtyti 20-vjeçar i PDSH-së dhe kryetarit të PDSH-së, që të mos pranojnë marrëveshje të këtilla. PDSH është parti demokratike, punon me transparencë dhe nuk i preferon metodat e këtilla të kohërave të errëta të komunizmit dhe të fashizmit”, ka thënë Tresi.

Duke reaguar ndaj këtyre deklaratave, nga partia maqedonase në opozitë LSDM, thanë se pas akuzave të Thaçit qëndron shefi i policisë sekrete maqedonase Sasho Mijallkov. Kjo parti më tej akuzoi kreun e PDSH-së se është vënë në shërbim të partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski.

Top Channel