Një grup aktivistësh të lëvizjes qytetare “Bashkë kundër ndotjes në Tetovë” kanë zhvilluar të enjten një protestë para Ministrisë së Ambjentit në Shkup, për të kërkuar që të mos zgjatet afati për vendosjen e filtrave në kapacitetet industriale në rajonin e Tetovës.

“Kërkojmë që të hidhet poshtë çdo zgjatje e mundshme e vendosjes së filtrave në kapacitetet industriale të Tetovës. Ndotja e ajrit vazhdon të jetë një problem serioz në këtë rajon”, tha aktivisti Bekim Asani.

Sipas protestuesve, matjet e fundit në Tetovë flasin se prania e grimcave të dëmshme PM10 në ajër është 20 herë më e lartë se niveli i lejuar.

Të shtrirë në tokë, aktivistët porositën drejtuesit e Ministrisë së Ambjentit se, nëse shtyhet afati për ndërprerjen e helmimit të tetovarëve, ata do të iniciojnë protesta masive para kapaciteteve industriale, që sipas tyre janë fajtorët kryesorë për ndotjen e ajrit.

“Ne kërkojmë zgjidhje permanente të këtij problemi dhe jo zgjatje. Qytetarët meritojnë ajër të pastër, Tetova meriton ajër të pastër”, vijoi më tej Asani.

Sipas protestuesve, në Tetovë ka disa kapacitete industriale që ndotin ajrin. Ata thanë se janë kundër mbylljes së fabrikave në këtë qytet, por kërkojnë zgjidhje afatgjate për të ndërprerë ndotjen.

Top Channel