Rama pranon kërkesën e Bashës  

20/03/2014 00:00

Është qeveria Rama më e mira e shqiptarëve? Ka kaluar kryeministri nga fjalët te veprat? Çfarë ka shkëlqyer e çfarë nuk  shkoi mirë? Marrëdhëniet me institucionet e tjera, raportet brenda maxhorancës dhe me opozitën? Në çfarë pikë janë reformat e maxhorancës së re kur jemi në krye të gjashtë muajve që kur ajo mori pushtetin?

Për t’u  përgjigjur këtyre dhe të tjera cështjeve të nxehta të aktualitetit politik në studion e Top Story këtë javë, përballë gazetarit Sokol Balla ishte vetë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Pyetja e parë ka qenë në lidhje me seancën e sotme parlamentare, duke filluar që nga akuzat politike të ish-kryeministrit Sali Berisha e deri tek ato personale.

Sokol Balla: Zoti Rama, ish-kryeministri Berisha ju akuzoi për një marrëveshje të fshehtë me FMN-në sot. Cila është e vërteta?

Edi Rama: E vërteta është që ajo ishte një shpifje publike me deklaratat e pushtetit të deridjeshëm, që propagandohet me sulme ndaj qeverisë. FMN nuk bën asnjë marrëveshje të fshehtë me askënd dhe as qeveria nuk ka bërë një të tillë. Nuk do të ketë taksa të reja. Marrëveshja ka filluar të zbatohet me paketën e re fiskale dhe shqiptarët duhet ta dinë se aprovimi i saj nga FMN është lajmi më i mirë që mund të merrnin për të rilindur besimin e institucioneve financiare ndërkobmëtare dhe bankave tek Shqipëria, qeveria shqiptare dhe sistemi ynë financiar. Nga ana tjetër, marrëveshja na jep mundësinë që ne t’i japim fund një periudhe krize dhe anarkie financiare dhe të hyjmë në ritmet e një rritjeje që do sjellë më shumë të ardhura.

Sokol Balla: Sot patët një debat me kryetarin e republikanëve, Fatmir Mediu për ish-të përndjekurit…

Edi Rama: Unë nuk bëj debate. Pala jonë nuk është karakterizuar ndonjëherë për shkelje të etikës në debat me kundërshtarin. Sot ishte dita të nënvizoheshin dy gjëra: e para sepse kaloi një ligj për të përndjekurit, me qeverinë që ka akorduar fondin më të madh për ta. Ndryshe nga viti 2013, kur qeveria në ikje, e tmerruar, shtoi fondin për ta. Nga ana tjetër, sot u fol për pronat dhe pronarët dhe sërish kjo qeveri, kjo aleancë PS-LSI, ka adresuar në sensisn e së drejtës edhe çështjen e pronës dhe problematikën e pronarëve duke filluar inventarizimin e pronave, ku kemi vënë re një mal falsifikimesh. Dua të theksoj se, sot mbi 2 mijë të përndjekur, më në fund, falë kësaj qeverie do prekin paratë e para pas 20 e kusur vitesh. Kjo ka qenë baza e një debati që ka ndarë në mënyrë të qartë qeverinë e sotme nga ajo e djeshme. Ne që i bëjmë gjërat me sensin e së drejtës edhe kur bëhet fjalë për pronarët që s’kanë qenë baza jonë elektorale, ndryshe nga ato baza të PD dhe PR që janë talluar nga këto parti.

Sokol Balla: Batutat tuaja sot në Parlament janë interesante, por të quash ish-kryetaren e Kuvendit “dhiakë” të ish-kryeministrit është pak e rëndë…

Edi Rama: Më në fund ka ardhur dita që të them edhe unë çfarë mendoj në atë sallë, ku për vite me radhë ç’nuk është thënë për mua, për njerëzit e shtëpisë sime, ku familja ime është përgojuar për shkakun tim padrejtësisht. Dhe në fund të fundit është edhe dita për të bërë dallimin mes atyre që mbollën pasiguri kudo duke rrënuar vendin dhe nesh që çdo ditë punojmë për më shumë siguri; mes atyre që i morën zvarrë shqiptarët në një proces ku propagandohej se në ekonomi u rreshtuam pas Gjermanisë, ndërkohë që njerëzit s’kishin fuqi të arrinin fundin e muajit, dhe nesh që punojmë përditë për një ndryshim rrënjësor dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ata nuk kanë rënë nga qielli por janë shkaktarë për ato pasoja që sot na tregojnë neve me gisht. Dhe ne, që pavarësisht se trashëguam vendin që ishte në buzë të humnerës, nuk jemi tërhequr nga zotimet tona dhe pasioni ynë për të ecur çdo ditë e më shpejtë.

Sokol Balla: Pjesa e parë e një debati është një komunikimi njerëzor…

Edi Rama: Jo. Është e vërteta shumë e thjeshtë se në Kuvend shkohet për të mbajtur një qëndrim, por dhe për të bërë dallimin me palën tjetër. Askush nuk çuditet përse unë jam tërësisht i apasionuar për të mbrojtur bindjet dhe arsyet pse jam në këtë detyrë.

Sokol Balla: Ideja është se kur i drejtohesh me një ideologji kundërshtarit politik dhe nesër e fton për bashkëpunim, kjo ftesë stonon.

Edi Rama: Tjetër gjë është debati publik, tjetër gjë janë batutat që thuhen në një sallë ku rrihet me orë të tëra. Tjetër gjë është ta shohësh tjetrin ballë për ballë dhe të shfryhesh dhe tjetër është të lëshosh batuta në drejtim të tjetrit në distancë.

Sokol Balla: Ju keni një çështje delikate për të trajtuar me opozitën, si reforma territoriale. Çfarë do të bëni?

Edi Rama: Ajo që bën opozita është e drejta e saj. E mira në këtë proces është se palët kanë një edukatë dhe shqiptarët nuk kanë nevojë të mendohen shumë për të kuptuar se kush është sot pengesë, kush do të mbajë përgjegjësi morale për cënimin e gjuhës shqipe, kodit etik dhe raportit me kundërshtarin e publikun, si dhe mbi të gjitha se kush ka gojë sot të flasë me etikë. Çështjet janë problemi i madh. Ne shkojmë në Parlament prej kohësh dhe nuk debatojmë për to dhe problemet e shqiptarëve, por biem vazhdimisht peng i një procesi bashkëjetese që merret peng qëllimisht me 1 mijë e 1 alibira, në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe që ndodh për një arsye të thjeshtë: ndryshimi i 23 qershorit. Dhe ne nuk do t’i mohojmë opozitës asnjë nga liritë e të drejtat që na u mohuan neve. Është e drejta e saj të bëjë zgjedhjet që do. Ne jemi këtu për bashkëpunim dhe do dëgjojmë me respekt të gjithë, përfshirë opozitën, por edhe do vendosim dhe udhëheqim. Unë kam vendosur t’i drejtohem edhe njëherë me një letër kryetarit të PD që të na bashkohet në këtë proces të reformës territoriale. Është ngritur komisioni, i kemi njohur të drejtën e vetos dhe kemi kaq kohë që presim. Por ne nuk mund të presim pafund dhe qënrimi i opozitës s’mund të jetë pengesë për këtë reformë, e domosdoshme për t’i dhënë fund një historie korrupsioni, abuzimesh e shpërdorimesh që Shqipëria s’mund ta mbajë në kurriz, për t’i kthyer popullit 80 milionë dollarë në vit në formë investimesh dhe nuk është një reformë elektorale, sepse po ta kishte ne nuk do ta bënim në mënyrë të njëanshme. Ne nuk do prekim asnjë element të kodit zgjedhor.

Sokol Balla: Do ta pranonit kërkesën e Bashës bërë të ditur gjatë një tjetër interviste në “Top Story”, në lidhje me mënyrën e miratimit në Kuvend?

Edi Rama: Nëse kërkesa është që produkti konsensual i komisionit të të mos përmbyset nga Kuvendi, absolutisht po. Nëse komisioni nuk ka votim konsensual, atëherë nuk ka kuptim që të kalojë në Parlament.

Sokol Balla: Po thoni se nëse nxirrni diçka konsensuale do të kalojë në Kuvend pa problem?

Edi Rama: Pa dyshim.

Sokol Balla: Të ndalemi pak tek kriminaliteti. Në një deklaratë keni thënë se kriminelët po vrasin njëri-tjetrin pasi ndjejnë frikën e ligjit. Mund të na i shpjegoni pak këtë? Sepse duket si justifikim.

Edi Rama: Ne s’kemi asgjë për të justifikuar sepse po ecim sipas zotimit se brenda 300 ditëve do kthejmë policinë në krye të detyrës. Kriminaliteti sot ka një rënie të ndjeshme, 33 për qind vrasje më pak se një vit më parë, ka mbi 30 për qind më shumë forcë goditëse ndaj trafiqeve dhe padyshim që kjo tregon se procesi ku ka hyrë Policia e Shtetit sjell hap pas hapi rezultat. Sfida jonë është që në katër vite krahasimin ta bëjmë me shifrat e kriminalitetit në rajon dhe më pas në atë të Evropës jug-lindore. Ka një perceptim që është krijuar për shkak të eksplozivit. Por unë dua të them se këtu nuk ka asgjë spektakolare e të veçantë, sepse nuk është hera e parë që kjo ndodh dhe nuk ka ndodhur më shpesh se ç’ndodhte. Vitin e kaluar eksplozivi ka qenë aty dhe shifrat tregojnë se në periudhën e fundit të vitit të kaluar ngjarjet e ndodhura janë vetëm 1/3 e ngjarjeve të vitit. Kjo nuk është spektakolare. Spektakolare kanë qenë goditjet e policisë ndaj krimit dhe përdoruesve të eksplozivit. Ky është vetëm fillimi dhe objektivat tanë janë tërësisht të realizueshme. Policia e Shtetit sot ka vlerësimet më të larta nga ndërkombëtarët. Gjithashtu, ne kemi përgatitur një paketë reformash për reformim rrënjësor të Policisë së Shtetit që shumë shpejt do t’i kalojë Kuvendit. Beteja jonë kundër krimit do të jetë pa kompromis dhe pa asnjë tolerancë. Rezultatet kanë filluar të ndihen dhe do ndihen gjithmonë e më shumë. Këtë goditje krimi e ka ndjerë dhe po e ndjen përditë, më shumë nga ç’e ndjen opinioni publik. Shumica e këtyre ngjarjeve janë të lidhura me larje hesapesh që ndodhin në një klimë shumë më të dizfavorshme për krimin. Deri dje krimi ishte bërë zot i këtij vendi, ndërsa sot po rivendoset balanca mes shtetit dhe krimit. Policia është në ofensivë, krimi në difensivë.

Sokol Balla: Kam një foto të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë protestës paqësore të opozitës. Ai ndodhet në tarracën e Kryeministrisë…

Edi Rama: Nuk është çudi që ministri i Brendshëm të ndodhet në tarracën e Kryeministrisë para një proteste. Puna është se çfarë ka poshtë Kryeministria para një proteste dhe në fund vlerësimi bëhet nga sa më shumë armë apo vajza police janë para protestuesve.

Sokol Balla: Për 100 ditët e para të qeverisë keni folur me superlativa për zotin Tahiri, vazhdoni ta mendoni këtë?

Edi Rama: Unë s’kam bërë vlerësime të kësaj natyre sepse ne jemi një skuadër. Është hera e parë që qeveria funksionon kështu dhe e kam vlerësuar si ministrin që meriton vlerësimin më të lartë për shkak të barrës që ka përsipër. Nëse më parë e kam quajtur punën e tij si të shkëlqyer, sot kam një arsye më shumë për ta riqujtur kështu, sepse po bën një punë që së shpejti do të kthehet në produkt për publikun. Po bëhen reforma brenda strukturave, një paketë reformash për të cilën publiku do të njihet dhe që bashkë me respektimin e bazave të reja ligjore dhe futjes së teknologjisë do sjellë një transformim rrënjësor në polici dhe në gjendjen e sigurisë, përfshirë këtu sigurinë në rrugë e atë në tërësi në raport me rendin.

Sokol Balla: Zoti Rama, ka një frustrim të ministrave të kabinetit tuaj sa i përket buxhetit, ç’mund të na thoni për këtë?

Edi Rama: Nuk ka asnjë frustrim. Ajo që mund të them është se ne përgjatë javës mblidhemi çdo ditë me grupe të ministrave dhe veç mbledhjes së qeverisë kam një kontakt më shumë me ta dhe ata vetë janë në kontakt me njëri-tjetrin. Objektivi është të kalojmë nga një qeveri ku ministrat e shihnin ministrinë si pronën e vetë tek një qeverisje moderne dhe e standardeve të vendeve ku duam të bashkohemi.

Sokol Balla: A është normale çështja e eshtrave të Ismail Qemalit?

Edi Rama: Ministria e Kulturës merret me atë punë.

Sokol Balla: Por disa nuk janë përgjegjës për këtë çështje.

Edi Rama: Unë e kam informacionin që është Ministria e Kulturës dhe s’ka pse të humbim kohë me këtë.

Sokol Balla: Po për dosjet ndaj ish-ministrit Arben Imami që janë çuar në prokurori nga ministrja aktuale e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ç’mund të na thoni?

Edi Rama: Nuk është fjala për Arben Imamim por ministrin dhe Ministrinë e Mbrojtjes, që ka lënë një situatë shumë të rëndë që ka vënë në vështirësi raportet me NATO-n dhe është kthyer në problem serioz me aletatët, për shkak të korrupsionit në të gjitha nivelet e ushtrisë, deri tek Shtabi i Përgjithshëm dhe për shkak të shtrirjes së këtyre tentakulave në çdo veprimtari të brendshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë. Për këtë arsye ka më shumë se një çështje me të cilën po merret prokuroria, e cila shpresoj se do të veprojë në bazë të nevojës për të ndëshkuar një kulturë administrimi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcat e Armatosura, e cila s’ka asgjë të përbashkët me NATO-n, vlerat, parimet dhe mënyrat se si duhet të funksionojë ushtria dhe Ministria e Mbrojtjes brenda Aleancës së madhe.

Sokol Balla: Cilat janë zotimet që i konsideroni të mbajtura në këto 6 muaj

Edi Rama: Zotimin më të rëndësishëm, ulje taksash për 97 përqind të shqiptarëve që ka rritur fuqinë blerëse për shqiptarët dhe rritjen e konsumit dhe aktualisht kemi 14 përqind më shumë dhe një nga arsyet për këtë rritje, është pikërisht ulja e taksave. Nga ana tjetër rritja e rrogave thuajse dyfish për policinë e shtetit, lufta pa kompromis kundër korrupsionit në Dogana dhe Tatime që ka sjellë një rritje shumë të madhe të të ardhurave, por jo duke i rënë në qafë sipërmarrjes. Mbajtja e premtimit shumë të rëndësishëm se do të rritet taksa për ata që fitojnë më shumë, për sipërmarrësit që nuk janën në biznesin e vogël, nga 10 në 15 përqind, por ama do të jetë kaq dhe nuk do të jetë shumë më tepër, ku 10 përqind i shkonin shtetit dhe deri në 300 përqind i shkonin pushtetit. Po ashtu përgjysmimi i tatim-fitimit mbi biznesin e vogël dhe heqjen e taksës për të. Këto janë zotime që sot janë realitet. Shumë shpejt në javët në vijim do të fillojë veprimi shumë energjik për legalizimet dhe shqiptarët do të shikojnë që ne do ta mbajmë këtë premtim.

Sokol Balla: Ka një debat për këtë, procesi apo gjithcka falas?

Edi Rama: Është gjithcka procedurë, sepse kur vjen puna tek trualli i zaptuar, s’mund të flasim për truall falas sepse ecim me kompensimin. Na duhen për kompensimin e pronarëve. Por edhe tek trualli do të ketë gjëra të reja dhe brenda 4 viteve këta njerëz që janë tërhequr përhunde me gënjeshtra dhe mish për top elektoral, por që nga ana tjetër janë shumuar duke bërë që të kthehet fenomeni i ndërtimeve pa leje, më në fund do të shohin dritë duke dalë nga tuneli i errët i shumë e shumë viteve. Këtu nuk bëhet fjalë për t’i dhënë një tapi, po për të futur kapitale në ekonomi.

Sokol Balla: Opozita ka një mendim tjetër për këtë…

Edi Rama:
Unë nuk besoj që ka shqiptarë që të kërkojnë që zotimi për shëndetësinë falas të mbahet për 6 muaj, legalizimet për 6 muaj apo që zotimi i madh për vendet e reja të punës të mbahet për 6 muaj, kur sot kemi të dhëna të forta se në drejtim të vendev të reja të punës do të bëjmë një transformim historik. Do stimulojmë fort sektorin privat, por edhe arsimin profesional.

Sokol Balla: Pyeta Bashën para një jave për suksesin e qeverisë dhe ai përmendi vendimin për mbylljen e lojërave të fatit, edhe ajo, sipas tij, e lënë përgjysmë…

Edi Rama: Cdo të thotë kjo? Nuk ka më kazino ilegale. Gjithë aktiviteti ilegal, industria kriminale që zinte 80 përqind të aktivitetit të lojërave të fatit sot është cmontuar, sot ka vetëm kazino, apo pika lojërash fati të licensuara më parë. Shumë shpejt, brenda 300 ditëve do të paraqesim projektin e ri ligjor për rregullimin përfundimtar të këtij problemi, ku do t’i japim një afat kohor deri më 1 janar 2016 të gjithë atyre që kanë investuar në këto lodra dhe kanë marrë një licensë nga qeveria dhe pastaj nuk do të ketë më kumar në zonat urbane të Shqipërisë. Do të adoptojmë praktikat e mira të të gjitha vendeve që kanë prioritet strategjik turizmin. Në raste të vecanta do të aplikojmë në zona specifike. Shqiptarët nuk do të lënë më paratë në kumar.

Sokol Balla: Zoti kryeministër mendoni që ka dicka që nuk shkon, dicka që shkon keq, dicka që nuk ju pëlqen?

Edi Rama: Deri më tani nuk ka asgjë, jemi brenda gjithë parametrave të parashikuara edhe të vështirësive edhe të problemeve që i trashëgojmë nga një situatë kaosi dhe anarkie në shtet dhe të pasojav e që marrim për shkak të një administrate që nuk ka lidhje me administratën e një shteti normal. Duhet t’u them se punët, ato që duken janë vetëm njëra pjesë, ndërsa në 300 ditë, jo vetëm sa i përket reformës në policinë e shtetit dhe forcimit të bazës ligjore dhe rritjes së instrumentave ligjore për të luftuar krimin, por edhe arsimit, planifkimit urban do të plotësohen dhe besoj që në fund të 300 ditëve do të kemi një pamje më të qartë se ku do të shkojmë në vijim.

Sokol Balla: Dmth është e kotë të pyes për korrigjime në kabinet?

Edi Rama: Edhe kjo lloj kulture që s’ka lidhje me kulturën politike dhe sociale të vendeve ku funksionon sistemi bipolar, këtu jemi në këtë sistem, ku kemi një aleancë të fortë me LSI, kemi përballë një aleancë tjetër, kjo nuk funksoonon me këto. Ne kemi një skuadër që do të cojë deri në fund mandatin e vet dhe do të marrë përgjegjësitë e veta për gjithë programin dhe cdo sektor. Lëvizje do të jenë të lidhura me shkeljen e atij kodi që ne kemi pranuar së bashku që lidhet me shërbimin me dinjitet, me transparencë dhe integritet të shqiptarëve. Cdo përzierje me korrupsionin nuk do të tolerohet. Përformanca është e skuadrës. Dua të shtoj që cdo ministër është përgjegjës i sektorit të vet, por suksesi varet nga ndërveprimi mes ministrave sepse nuk mund të ketë sukses në transport publik nëse nuk ka sukses në sigurinë në rrugë.

Sokol Balla: Këtu nuk është se ka disa standarde, të gjithë ministrat janë njëlloj?

Edi Rama: Nuk ka asnjë lloj diferencimi, këtu jemi një skuadër. Të ecim më shpejt për të integruar Shqipërinë. Nuk është e rastësishme që përputhen dy sloganet tona elektorale.

Sokol Balla: Nëse është kështu, pse mbani mbledhje paralele cdo jave vetëm me Ministrat e PS, pa ata të LSI-së?

Edi Rama: Ne mbajmë mbledhje të grupit parlamentar të PS, jo të qeverisë. Të gjitha ndërveprimet bëhen në skuadër sipas modeleve të qeverive që funksonojnë me standarde europiane.

Sokol Balla: U fol që deri në mars do të krisej aleanca, rezultoi legjendë…të paktën deri më tani. E keni të vërtetë këtë aleancë apo sa për sy e faqe. Çfarë po ndodh?

Edi Rama: Është një aleancë e cimentuar nga 1 mln shqiptarë. Jemi shumë të vegjël për t’i shkuar kundër apo për ta cënuar besimin e tyre.

Sokol Balla: Megjithatë në muajt e parë u fol që në bazë reminishencat vazhdonin, si janë sot cicmicet e bazës vazhdojnë apo jo?

Edi Rama: Do isha i shqetësuar nëse s’do të kisha asnjë problem në bazë. Baza jonë është një bazë në zhvillim të vazhdueshëm.

Sokol Balla: Megjithatë thuhet që bazën tuaj po e merr LSI që më pas i punëson, nuk jeni të shqetësuar?

Edi Rama: Do të shqetësohesha nëse nuk do të ankoheshin edhe në anën tjetër.

Sokol Balla: Ju duket normale ajo që pamë në Fiks Fare që ARMO hedh naftë pa standarde në tregun shqiptar në sy të autoriteteve. Mendoni se ka një tolerancë në këtë rast?

Edi Rama: Nuk ka asnjë tolerancë se po të kishte do ta kishte nxjerrë Fiksi,  ashtu sikundër ka projekte serioze për të transformuar sektorin e naftës nga sektor barbarie dhe grabitje të shqiptarëve në një sektor strategjik që prodhon të mira për këtë vend dhe kam disa lajme të mira për ju dhe për publikun, që për herë të parë Albpetrol po jep para buxhetit të shtetit, për herë të parë, për herë të parë po punohet seriozisht dhe sërish brenda 300 ditëshit do të ketë një bazë ligjore që u imponon pikave të karburanteve që të garantojnë cilësi duke vendosur cilësi. Për herë të parë do të realizohet plani për të goditur gjithë pjesën e rrjetit të karburanteve që janë jashtë ligjit, për herë të parë do vendosen standardet ndërkombëtare për shpërndarjen e karburanteve dhe për të vendosur mes atyre që i takojnë shqiptarëve dhe atyre që u takojnë eksploruesve në fushat e reja të naftës do të jepen në mënyrë transparente në ankande transparente kompanive prestigjoze. Nafta është pasuri kombëtare dhe shqiptarët nuk kanë përfituar asgjë deri më sot, që është shpërdoruar për të siguruar përfitime kolosale të atyre që me votat e vjedhura i grabitën shqiptarët deri në palcë.

Sokol Balla: T’i rikthehemi temës së raporteve me institucuionet e pavarura. Fokusi është tek Shërbimi Informativ Shtetëror dhe kreu i saj Visho Ajazi. Do doja ta nisnim këtë temë më deklaratën e presidentit Nishani në 2012 ku thotë: “funksionimi i SHISH është pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe është instrument që duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur nga qeveria, por në kuadër të objektivave qeverisës të qeverisë. Ka qenë një kërkesë tërësisht ligjore dhe në bazë të kompetencave të Kryeministrit. Momenti ka qenë normal. Kishte një kohë të gjatë që Bahri Shaqiri ka qenë në atë detyrë, ishte krejt e dukshme që marrëdhëniet e kreut të SHISH me qeverinë nuk ishin në bashkëpunim të plotë. Qeveria shqiptare është një qeveri e ligjshme për të ndërtuar punën e saj mbi institucione ku ka besim të plotë dhe procedura është ndërtuar mbi diskutime shumë serioze të Presidentit me Kryeministrin e vendit dhe unë besoj që ka qenë një proces mjaft korrekt që u bë publik në momentin e duhur”.  A keni ju bashkëpunimin e duhur me Ajazin?

Edi Rama: Kam komunikim fare të thjeshtë prej të cilit t’u them të drejtën mundohem të gjej arsyen për të thënë se jam i kënaqur, por nuk mund të them se jam i kënaqur për faktin që në fund të fundit ajo që ka rëndësi dhe që më intereson mua nuk është se më intereson kush është dhe nga vjen në krye të institucionit, por sa produkt marrim nga institucioni. Me keqardhje, por në një proces shumë të vështirë kundër krimit që lidhej me shpërthimet e tritolit, policia nuk ka patur thuajse asnjë informacion dhe ky është problemi. Nuk ka lidhje sa më takon me personin. Këto ja kam thënë kreu të Shërbimit, reagimi i tij ka qenë korrekt, por i strukturës lë shumë për të dëshiruar.

Sokol Balla: Keni diskutuar me Presidentin?

Edi Rama: Sigurisht. Por nuk dëshiroj të diskutoj ato që bisedoj me Presidentin, por gjithcka ka të bëjë me qëllimin e përbashkët që ne e ndajmë me presidentin. Rrjedha e komunikimit mes meje dhe presidentit është një model komunikimi mes institucioneve dhe do të ishte fantastike sikur e tillë të ishte edhe bashkëpunimi mes institucioneve.

Sokol Balla: Nishani për SHISH vlerëson po bën një punë të shkëlqyer dhe se nuk ka ndërmend të firmosë shkarkimin e Visho Ajazit. Ju si do veproni? Keni plan për ndryshimin e tij?

Edi Rama:
S’kam asnjë plan dhe nuk ndërtoj plane të tilla, por konsideroj të domosdoshme që të ketë një reflektim serioz në këtë aspekt sepse kjo nuk është një histori kampesh dhe aleancash që burojnë nga e kaluara. Kjo është histori që lidhet me shtetin shqiptar dhe domosdo që të jemi në lartësinë e sfidave të mëdha një nga këto është siguria dhe me të ardhmen e këtij vendi, në këtë aspekt e konsideroj të rëndësishëm reflektimin e Komisionit të Sigurisë dhe pres të shoh se cilat do të jenë konkluzionet e këtij institucioni sepse parlamenti ka të drejtën dhe detyrimin që të reagojë përballë situatash ku nuk ka qartësi dhe ku ka qëndrime të ndryshme nga institucione të ndryshme. Në këtë rast Ministria e Brendshme dhe Presidenti.

Sokol Balla: Top Story po përgatit një puntatë për SHISH, jemi në proces grumbullimi të dhënash dhe informacioni. Por po ju lexoj një paragraf nga një burimi i besuar që: njofton situatën kaotike që nuk ndodh që nga 1991 dhe ku 11 drejtorët aktualë të qarqeve, nga 12 në total janë ish-funksionarë të SHIK-ut? A është normale kjo?

Edi Rama: Nëse SHISH do ishte në lartësinë e tij nuk do ishte temë e ditës dhe që nuk është hapur nga ne.

Sokol Balla: Keni provë që Visho Ajazi ka shkelur ligjin?

Edi Rama: Kjo nuk është cështje e imja dhe e vlerësimit tonë si qeveri. Unë kam shqetësimin që ka Ministri i Brendshëm dhe këtë shqetësim e kemi të bazuar në fakte dhe jo në dëshirën për të hapur një front konfrontimi me SHISH.

Sokol Balla: Po lexoja dje, që Ajazi Lika mund të shkarkohet si zoti Sollaku…

Edi Rama: Megjithë respektin që kam për shtypin, do të thoja që më bëni nderin që të mos u referoheni gazetave si prova dhe fakte.

Sokol Balla: Por ju keni mbrojtur presidentin Moisiu që nuk pranoi shkarkimin e Sollakut, si do e vlerësoni Nishanin nëse shkarkoni kreun e SHISH?

Edi Rama:
Presidenti do të gjejë të gjithë arsyet për të reaguar ashtu sic duhet nëse vërtët do të jetë i interesuar për të qëndruar mbi palët, për të garantuar funksionimin e institucioneve.

Sokol Balla: Ka qendruar deri më sot?

Edi Rama: Nuk mund ta pohoj, por s’kam asnjë dëshirë ta mohoj. Do kisha shumë dëshira ta pohoja, kam bërë dhe do të bëjë gjithcvka që kështu të ndodhë, deri në ditën që po jap dhe do të japim një kontribut të rëndësishëm për demokracinë shqiptare duke vendosur një standard të ri në marrëdhëniet e qeverisë me presidentin duke i dhënë fund epokës së vulgaritet ku sulmohej dhe përbaltej institucioni i presidentit.

Sokol Balla: Duket se keni kaluar në anën tjetër. Nishani e ka bërë fakt të kryer që nuk do ta shkarkojë atë. Kemi parë një reagim kritik, por të qetë të Tahirit dhe të Mimi Kodhelit. Kemi një kryetar shteti të zgjedhur nga mazhoranca e kaluar dhe ju një mazhorancë 86 vota mbani këtë qëndrim, cfarë është ky, mesazh dobësie?

Edi Rama: Ne duam të ndryshojmë Shqipërinë dhe njëra prej këtyre është kultura e bashkëpunimit dhe e ndryshimit të gjuhës si me presidentin dhe opozitën. Ju e dini që Komisioni i Sigurisë kishte 10 vjet pa u mbledhur. Besoj që edhe kjo duhet marrë si shprehje vullneti dhe larg qoftë të merret si dobësi.

Sokol Balla: A është ndërpreja e parakohëshme e mandatit të presidentit një opsion?

Edi Rama: Jo.

Sokol Balla: Për ta mbyllur debatin për kreun e SHISH, jeni të pakënaqur nga drejtuesi i SHISH, tani e mirëkuptoni Berishën kur akuzonte Bahri Shaqirin?

Edi Rama : Jo. Unë nuk po e akuzoj për bashkëpunim me forca të errta, po shpreh këtu përmbajtjen e shqetësimit që ka qeveria bazuar tek shqetësimi i shprehur nga Ministria e Brendshme mbi fakte, jo mbi opinioni dhe mos harroni që MB ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi dhe ka shprehur vullnetin për të kthyer këtë bashkëpunim në një risi për të kthyer këtë në një sukses kundër krimit dhe korrupsionit.

Sokol Balla: Një nga pritshmëritë e kritikëve ishte se dimri do të ishte i ashpër dhe me përmbyjtje dhe do të ishte një barrë e rëndë, në fakt ka ndodhur e kundërta, jemi në kushtet e një thatësire të frikshme.

Edi Rama: Dimri nuk ka qenë aq i butë, por që në momentin e parë që kemi marrë detyrën në bashkëpunim me strukturat dhe Ministrin e Bujqësisë kemi punuar për të hapur rrugët e zëna të kullimit dhe për të vënë në punë hidrovoret që ishin lënë në harresë.

Sokol Balla: Hidrocentralet e mëdha po rrëshqasin drejt nivele minimale… si do ta përballoni situatën?

Edi Rama: Faleminderit që ma bëtë këtë pyetje. Shqiptarët ta dëgjojnë mirë këtë që po them, beteja me krimin ndodh në sytë e tyre, por ka një betejë tjetër që është për jetë a vdekje, që zhvillohet përditë dhe që është beteja për t’i shpëtuar kolapsit energjitik dhe është një betejë që do të bëjmë të gjithë bashkë. Kemi trashëguar 1.1 mld dollarë borxhe zinxhir mes CEZ-OST-bankave e me radhë. Kemi trashëguar një kulturë mospagesë shumë të rëndë. Jam krenar që në një kohë kaq të shkurtër kemi ulur humbjet në 42 përqind dhe synojmë të zbresim nën 40 përqind në një kohë shumë të afërt dhe kemi rritur arkëtimet me 20 përqind. Falenderoj ata që kontribuojnë në sistem dhe të gjithë të kuptojnë që do të jemi të pamëshirshëm ndaj atyre që vjedhin dhe nuk paguajnë energjinë. Sa më shumë të paguajnë aq më shpejt do të jemi të sigurtë. Nuk do të mungojë energjia elektrike, por shumë shpejt do të ketë një fushatë. Ne nuk do ta nisim nga më të varfërit, do ta nisim nga ata që kanë para t’i paguajnë e pastaj të varfërit, sepse edhe ata duhet të paguajnë. Do të ketë një plan masash drastik, duke u hequr cdo shërbim të gjithë atyre që janë debitorë me energjinë.

Sokol Balla: Ka patur dy raste në 3-4 ditë, njëri tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe ish-kreu i Zyrës së Punës në Kavajë të kërkuar nga drejtësia, si përfundojnë këta në poste drejtuese?

Edi Rama: Unë cdo gjë përpiqem ta argmentoj, sot nesër, por kurrë nuk pretendoj që jam i pagabueshëm dhe sfida jonë është tjetër, ne gabime mund të bëjmë dhe do të bëjmë dhe nuk do të përsërisim gabimet e të tjerëve, por kemi reaguar në të dyja rastet. S’kemi asnjë kompleks se e tha opozita. Thëntë opozita sa më shumë nga ato të vërteta që ne kemi nevojë të dëgjojmë dhe ne do t’i jemi mirënjohës, por opozita këto të vërteta i ka të rralla.

Sokol Balla: Para një jave kisha kreu i opozitës, Lulzim Basha ju këshilloi “që të lini rrenat dhe t’i përvisheni punës për të mbajtur premtimet e dhëna”, si e komentoni?

Edi Rama: Kjo nuk është këshillë, është propagandë. Por meqë me të veten u përpoq të më japë një këshillë, po i jap edhe unë një këshillë; shumë shpejt vijnë zgjedhjet në Tiranë dhe bëj dicka që të mos dalin të gjitha rrena ato që i the në fushatë. Cdo gjë që i mungon sot Tiranës mua më mundon cdo ditë e më shumë.

Sokol Balla: Por klima e bllokimit s’i mungon ama…

Edi Rama: Kjo është e pavërtetë. Do isha i lumtuar që në një rast të vetëm shumica në të kaluarën të votontë një projekt të kryetarit të Bashkisë. Nuk ka ndodhur që shumica të votojë buxhetin dhe unë jam krenar për këtë. Unë i kam premtuar vetes dhe publikut se nuk do t’i bëjmë opozitës kurrë dhe për asnjë arsye atë që na bënë ata.

Sokol Balla: I keni bllokuar shpronësimet në hapjen e bulevardit, xhaminë e re…

Edi Rama: Kemi ndërhyrë për të nxjerrë nga kolapsi situatën me varrezat, por e kam për krenari që institucioni i Bashkisë së Tiranës, dhe këtë e thonë të gjithë, ishte institucioni që shkruante në mënyrë korrekte dhe përgjigjej në mënyrë korrekte për cdo ankesë. Të lexosh letrat e Bashkisë sot, është të vësh duart në kokë. Nuk bën dot një dosje për të marrë kompensimin për varrezat. U ul Ministria e Brendshme dhe bëmë nga e para gjithcka për të zhbllokuar situatën. Në bulevard nuk ka lidhje qeveria. Nuk dua që të ketë asnjë rast kur qeveria t’i bëjë Bashkisë së Tiranës atë që i bënte dikur. Është prefekti që ka ndërhyrë në përgjigjje të ankesave të banorëve për shpronësimet e premtuara.

Sokol Balla: A është Tahiri kandidat për kryetar i Bashkisë së Tiranës?

Edi Rama: Jo nuk është. Nuk kemi emra.

Sokol Balla: Duket sikur keni frikë ndaj Bashës, duke i lënë të kuptohet mos kandidojë sërish…

Edi Rama: Nuk më intereson se cfarë zgjedhjesh politike bën opozita.

Sokol Balla: Si po e përjetoni raportin me Berishën në Kuvend?

Edi Rama: Është fatkeqësi e madhe kombëtare dhe fatkeqësi e madhe e PD që Saliu nuk shkon në shtëpi realisht ta mbyllë me dinjitet atë që nuk e vazhdoi dot me dinjitet kur kishte mundësi ta bënte kur ishte kryeministër, por të paktën si ish-kryetar i PD dhe lider shpirtëror i këtyre që nuk ndahen dot prej tij. Thonë që nuk ka mallkim më të madh se sa ‘u plaksh keq’.

Sokol Balla: Kemi edhe një zhvillim në Komuniteti Mysliman, kemi zgjedhjen e një figure të re të moderuar. Si i keni përjetuar këto zhvillime?

Edi Rama: Nuk ndërhyjmë në cështjet e komunitetit. Ne mbështesim të gjithë komunitet. Unë konsideroj harmoninë dhe tolerancën fetare si një pasuri kombëtare dhe që duhet të bëjmë cmos që të mos ndryshojë, ta ruajmë dhe ta forcojmë.

Top Channel