Bruksel, “një Shqipëri joshëse”

21/03/2014 00:00

Duke prezantuar një Shqipëri më joshëse, shqipëtarët e Brukselit u
mblodhën në Parlamentin Europian për të folur hapur se ç’duhet bërë për
statusin kandidat, në prag të zgjedhjeve europiane.

“Bëni detyrat tuaja të shtëpisë! Nëse i bëni, herët a vonë do të çmohet.  Kështu që mos shihni vërdallë, bëni detyrat, bëni reformat, e jini konsistent në zhvillimin e tyre. Pastaj cilido qoftë kompozimi pas zgjedhjeve europiane, mendoj se do të vlerësohet e do të sjellë rezultate për vendin tuaj. E di që është e vështirë e do të jetë edhe më shumë e vështirë, po kështu është jeta. As për ne nuk ishte e lehtë kur negociuam. Askush nuk do t’ju bëjë ulje. Nuk ka rrugë për shkurt. Ju duhet të përmbushni gjithçka, edhe Kroacia e mori vesh këtë. Nuk është domosdoshmëri përmbushja e kritereve 100%. Për ju do të jetë e domosdoshme të plotësoni 125% të tyre, përpara se ju të pranoheni në Bashkimin Europian. Kjo është e vërteta dhe duhet të flasim hapur. Drita e gjelbër nga Këshilli Europian mund të vijë në qershor, ose më vonë gjatë këtij viti për të qënë më realist”, thotë Eduard Kukan, kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin.

Kukan shpjegoi se dy grupet kryesore politike në Parlamentin Europian ndajnë të njëjtin qëndrim mbi Shqipërinë, ndërsa u pyet mbi perceptimin për mbështetje të pakufizuar të PPE-së ndaj PD-së, sikundër socialdemokratët ndaj PS-së. “Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë’ u përgjigj raportuesi Vuljaniç, duke fokusuar bisedën tek klasa politike, korrupsioni dhe drejtësia.

“Na lejoni t’ju ndihmojmë. Politikanët shqipëtarë duhet të vinë këtu me një qëndrim të fortë mbi çështjet më të rëndësishme për Shqipërinë, me një qëndrim të përbashkët të tyre dhe jo me qëndrimin e Partisë Demokratike apo Partisë Socialiste. Jo. Qëndrimi i Shqipërisë. Kjo , pikësëpari, do të ndihmonte shumë. Përsa i takon drejtësisë dhe  dërgimin e të korruptuarëve para drejtësisë, nuk është dhe aq e lehtë. Është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë se korrupsioni është i keq, dhe se ata që e bëjnë këtë do të kapen, herët a vonë. Për këtë të jenë të sigurtë se do të kapen. Nëse ju e dini se dikush vrau, çfarë prisni nga të tjerët?! Nuk flasim për të vrarë aksidentalisht, por për vrasje të 4 njerëzve në rrugë në mes të ditës, e asgjë nuk ndodh për 2-3 vjetë.. Hej.. Nuk mund të jetë kështu! Kjo gjë kërkon një gjyqësor që nuk është nën ndikimin e politikanëve, e kjo është kyçe për funksionimin e një vendi”, u shpreh Vuljanic, raportues për Shqipërinë në PE.

Kjo është hera e dytë që kreu i Delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan, dhe shoqata belgo-shqipëtare “Konica”  organizojnë një aktivitet të tillë në Parlamentin Europian, pas inisiativës së një viti më parë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.  Kësaj radhe, nga Shkodra drejt Brukselit erdhën  40 shishe verë shqipëtare nga 4 kantina të ndryshme, transportuar me autobus nga vetë italiani Andrea Lo Lacono, të cilit, pazari i Shkodrës i kishte mësuar gjuhën shqipe ndër vite. 

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel