Arrestohen tre terroristë shqiptarë

21/03/2014 00:00

2 shtetas me kombësi shqiptare janë arrestuar të enjten, ndërsa 1 tjetër
të premten nga forcat policore turke, si autorë të vrasjes së dy
policëve dhe një civili në afërsi të qytetit Nigde një ditë më pare.

Mediat turke e kanë quajtur këtë një sulm terrorist, pasi sipas tyre 3 persona të cilët flisnin edhe arabisht janë pjesëtarë të grupimit, shteti islamik i Irakut dhe Levantit, grup ky që ka lidhje të drejtpërdrejta me Al Kaeden. Mediat theksojnë se 2 prej personave të cilët ishin me nënshtetësi shqiptare janë me arrestuar në një klinikë, ku kanë shkuar për të marrë ndihmën e parë mjeksore pas plagëve të marra gjatë përleshjes me armë me policinë turke.

Ndërkohë burime zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë konfirmuan për Top Channel se 3 personat e arrestuar në Nigde të Turqisë nuk janë me nënshtetësi shqiptare. Sipas Ministrisë tonë të Brendshme, 2 nga personat e arrestuar janë shqiptarë nga Kosova ndërsa tjetri është shqiptar nga Maqedonia.

Mediat vendase nuk japin identitetin e plotë të të arrestuarve, por theksojnë se dy prej tyre, me inicialet E.S dhe E.A janë 18 vjeç, ndërsa personi me inicialet C.R është 23 vjeç. Sipas medias turke, terroristet kane hyre ne territorin turk nga Siria, por nuk thuhet se përse e kishin kaluar kufurin.

Policia vendase u ka sekuestruar këtyre personave 7 bomba dore, 3 kallashnikove, 3 pistoleta dhe 2 thika ushtrie. Ende nuk është mësuar cili ka qenë qëllimi kryesor i këtyre personave, ndërkohë që vetëm pas përfundimit të hetimeve do të jepen detaje më të hollësishme. 

Top Channel