PD: Qeveria iu nënshtrua FMN-së

21/03/2014 00:00

Partia Demokratike akuzoi Qeverinë se për shkak të paaftësisë,
klientelizmit dhe korrupsionit ka pranuar kushtet e Fondit Monetar
Ndërkombëtar për rritjen e taksave, rritjen e moshës së pensioneve dhe
rritjen çmimit të energjisë deri në vitin 2016.

“Në fakt përgënjeshtrimi i Ramës është i turpshëm për qytetarët e këtij vendi, pasi në faqe 29 të raportit, paragrafi i 3, janë propozuar si mundësi: Vendosja e TVSH në arsim;Rritjen me 50% të taksës mbi tregtimin e makinave të përdorura; Vendosja e taksës mbi pronën (shtëpi, tokë) sipas vlerës;futja e një takse vjetore për përdorimin e makinave bazuar në vlerën e tyre; rritjen e tatimit mbi të ardhurat e individëve, përfshi dhe interesat e depozitave dhe dividendin nga 10 në 12% (rritje 20%)”, tha ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

Ish-ministri i Financave iu referua memorandumit te qeverise me FMN-së per te treguar, sipas tij, se edhe angazhimi per rritjen e cmimit te energjise eshte i vertete dhe eshte pjese e memorandumit.  

“Shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare se në qershor të këtij viti çmimi i energjisë për popullatën do të afrohet me çmimet e tregut ndërkombëtar, që do të thotë një rritje e shqetësuese për qytetarët. Dhe kjo ndodh kur paguhet më pak se 50% energjisë dhe ata që paguajnë duhet të paguajnë një çmim dy herë më të lartë”, tha Bode.

Partia Demokratike iu referua memorandumit per te treguar angazhimin e Qeverise edhe per ndermarrjen e reformes se pensioneve, e cila, siç thote ish-ministri i Financave nuk do të kufizohet vetëm në rritjen e moshës së pensioneve, por edhe me rritjen e masës së kontributeve.

“Memorandumi i bashkëpunimit të Qeverisë Rama me FMN është dëshmia më e qartë e pasojave të rënda dhe kostove të papërballueshme që solli për vendin një qeverisje diletante, klienteliste dhe e papërgjegjshme. Ky është shpërblimi që po marrin qytetarët shqiptarë në këmbim të besimit që i dhanë dyshes Rama-Meta: rritje taksash, rritje çmimesh, rritje të papunësisë, varfërisë dhe mjerimit”, tha Bode.

PS: Alarmi i opozitës, i pavend
Qeveria ka ulur taksat, duke u dhënë më shumë siguri punonjësve

“Sot në opozitë, Partia Demokratike është kthyer në zëdhënësin e pasigurisë, duke kërkuar të mbjellë frymën e pasigurisë kudo. Gënjeu në Dhjetor, kur tha se çmimi i karburantit do të rritej, por në fakt çmimi u ul. Qeveria e re u ka dhënë 97% të punonjësve më shumë siguri, më shumë të ardhura, përmes uljes së ndershme të taksave. Biznesi i vogël sot paguan më pak. Ndërkohë që, biznesi i madh ka gjetur një partner të sigurt te qeveria. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon rritje të ndjeshme ekonomike dhe progres në vitet që do të vijnë. Qeveria është e vendosur dhe po punon për të sjellë progres, siguri dhe inovacion”, tha Ervin Bushati.

Top Channel