Të hënën, në Maqedoni, nis fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale, që mbahen më 13 Prill. Një ditë para fillimit të fushatës, kryetari aktual i vendit Gjorgje Ivanov ka prezantuar programin e tij për 5 vitet e ardhshme.

Ivanov u zotua se, nëse merr edhe një mandat, nuk do të pranojë ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë. Ai premtoi se do të angazhohet për zhbllokimin e procesit integrues të vendit, thithjen e investimeve të huaja, hapjen e vendeve të reja të punës, ndërsa në fjalimin e tij të gjatë, shkurtimisht foli edhe për Marrëveshjen e Ohrit.

“Do të angazhohem për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, e cila është pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë. Obligimi më i madh është që Maqedoninë ta ndjejmë të gjithë si shtëpi të përbashkët”, tha Gjorgje Ivanov, President i Maqedonisë.

Përveç Ivanovit, i cili është kandiduar nga VMRO-DPMNE-ja, në garën për president të Maqedonisë do të marrin pjesë edhe tre kandidatë të tjerë. Stevo Pendarovski nga LSDM-ja, Zoran Popovski nga partia GROM, dhe Iljaz Halimi nga PDSH-ja. Gjatë konventës promovuese, ditë më parë, z. Halimi, i cili është kandidati i vetëm shqiptar në këto zgjedhje, kërkoi votat e të gjithë shqiptarëve pa dallime partiake.

“Është momenti historik për shqiptarët, që në këtë garë për president shteti merr pjesë vetëm një kandidat shqiptar. Qëllimi im është që, përmes kandidimit tim, shqiptarët t’i faktorizojmë dhe t’i bëjmë vendimmarrës në zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm të shtetit”, tha Iljaz Halimi, kandidat i PDSH-së për President të Maqedonisë.

Në këto zgjedhje presidenciale nuk do të marrë pjesë me kandidat të vetin, partia shqiptare në pushtet BDI. Kjo parti do të bëjë fushatë, që shqiptarët të mos dalin në votime dhe do të promovojë idenë, se në Maqedoni ka ardhur koha për një president konsensual, që do të ketë përkrahje nga të dy komunitetet më të mëdha në vend, maqedonasit dhe shqiptarët.

Top Channel