Super-trafikanti serb i drogës, Darko Shariç është paraqitur të hënën në Gjykatën Speciale të Beogradit, ku ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke i cilësuar ato të turpshme dhe të pakuptimta.

Gjatë seancës gjyqësore mësohet se ai ka thënë gjithashtu se ka bashkëpunuar me shumë njerëz në bizneset e tij, të cilët sipas tij kanë qenë pjesë e fraksioneve politike.

Me pasurinë kolosale të akumuluar përmes trafikut të drogës, Shariç kishte privatizuar shumë kompani, kryesisht hotele dhe kazino në Malin e Zi.

Emri i tij fitoi famë pas konfiskimit të një sasie masive kokaine, mbi 2 tonelata, në një port të Uruguajit, në afërsi të Montevideos. Pak më vonë ai nisi arratinë e tij, duke u fshehur në vendet e Amerikës Latine, nga të cilat u ekstradua javën e kaluar.

Gjyqi ndaj Shariç është më i madhi ndaj krimit të organizuar në Ballkan. Arratisja e tij ishte një reklamë e keqe për institucionet serbe.

Top Channel