Parada e përvitshme e nxënësve në Athinë, me rastin e festës kombëtare të 25 Marsit, i ka ngjarë më tepër një loje ushtarake të forcave të policisë në kryeqytetin grek, që kanë ndërmarrë masa të papara sigurie nga frika e protestave të qytetarëve të pakënaqur.

Mbi 3.000 policë kishin zënë pikat kyçe në qendër të Athinës, duke qenë në gadishmëri për protesta të mundshme në parakalimin e nxënësve, që zhvillohet një ditë para paradës së madhe ushtarake  në ditën e 25 Marsit, dita që festohet fillimi i revolucionit grek kundër Perandorisë Turke në vitin 1821, si dhe një prej festave të mëdha të ortodoksisë.

Dhjetëra autobusë policie dhe barrikada metalike kanë krijuar një perimetër prej disa kilometrash, brenda të cilit politikanët grekë ndoqën parakalimin e nxënësve të 240 shkollave të mesme të kryeqytetit, ndërsa edhe vetë prindërit e pakët në numër janë lejuar shumë larg qendrës të shohin fëmijët e tyre.

Nga masat drastike vetëm disa prej nënpunëseve të pushuara nga Ministria e Financave kanë protestuar përsëri, rreth 600 metra nga kordoni mbrojtës i policisë.

Bllokimi i qendrës së Athinës, si dhe i Selanikut me forca policore të panumërta do të vazhdojë edhe në orët e ardhshme, deri në paradën ushtarake që zhvillohet në këto dy qytete të martën në mesditë.

Sipas mediave greke, paradat me rastin e festave kombëtare në vitet e fundit kanë humbur vlerën e tyre historike. Ato janë shndërruar në protesta të grekëve që kanë humbur punën përgjatë viteve të krizës ekonomike në Greqi, ndërsa priten edhe 150.000 shkurtime të reja në admisnitratën publike, nën presionin e kreditorëve të vendit.

Në tetor të 2011-s, në Selanik mijëra grekë të pakënaqur hodhën parrulla edhe ndaj presidentit grek Papulias, duke anuluar për herë të parë parakalimin u forcave ushtarake në festën kombëtare të 28 Tetorit.

Top Channel