Të hënën në Maqedoni ka filluar edhe zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale të 13 prillit. Kandidati i PDSH-së për president të Maqedonisë, Iljaz Halimi e ka nisur në Shkup fushatën me disa takime me qytetarët.

Ai është i vetmi kandidat shqiptar në këto zgjedhje dhe mendon se ka ardhur koha që Maqedonia të ketë një president shqiptar.

“Mesazhi im është që më 13 prill qytetarët të dalin masivisht, të më mbështesin, të mos kenë hamendje sepse jam i bindur se nuk do t’i zhgënjej dhe mendoj që ka ardhur momenti që të zgjidhet një kryetar shqiptar. Shqiptarët kanë votuar edhe për Gligorovin, edhe për Trajkovskin edhe për Ivanovin, besoj se edhe maqedonasit do ta japin aprovimin dhe do t’i thyejnë barrierat ndëretnike”, ka deklaruar Halimi.

Nga ana tjetër, partia shqiptare në pushtet, BDI, ka filluar fushatën me një thirrje drejtuar shqiptarëve për të mos dalë në zgjedhjet presidenciale.

Kjo parti, pavarësisht se nuk merr pjesë në këto zgjedhje me kandidatin e vetë, do të realizojë takime me qytetarët, ku do të promovojë nismën për një president konsensual në Maqedoni në të ardhmen, që të mbështetet nga komunitetet më të mëdha në vend, maqedonasit dhe shqiptarët.

“Në të njëjtën kohë kur partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet presidenciale do të zhvillojnë një proces legal por të pavërtetë, BDI do të jetë në krah dhe pranë çdo qytetari shqiptar. Jo për të ushtruar presion dhe as për të kushtëzuar, duke hedhur këtu me forcë çdo spekulim të tillë, por për të sqaruar përmes një bashkëbisedimi qytetar arsyet përse përgjigjja jonë në këto zgjedhje është një “jo” për presidentin e njëanshëm”, ka deklaruar zëdhënësi Bujar Osmani.

Ndërkohë, të hënën edhe kandidatët maqedonas kanë mbajtur mitingjet e para. Në këto zgjedhje presidenciale marrin pjesë katër kandidatë. Sipas sondazheve të para, gjasa më të mëdha për të fituar këtë proces ka presidenti aktual Gjorgje Ivanov.

Top Channel