Tafaj, 120 mln lekë për zhurmues dhe detektorë të prishur

25/03/2014 00:00

Zhurmuesit dhe detektorët, që Ministria e Arsimit bleu vitin e kaluar,
me qëllim “zhdukjen” e kopjeve gjatë provimeve të Maturës Shtetërore,
nuk punojnë. Të paktën kështu sqarojnë burime nga Ministria e Arsimit,
sipas të cilave asnjë detektor dhe zhurmues, i blerë vjet nga Ministria e
Arsimit nuk është funksional.

Praktikisht, deklaratat përkojnë edhe me situatën e krijuar vjet, gjatë zhvillimit të testimeve të maturës, që pavarësisht instalimit të tyre në çdo klasë e shkollë, u vërejt se asnjëra nuk punonte. Në atë kohë, denoncimin e bënë vetë mësuesit, që ishin edhe pjesë e grupit të arsimtarëve, që u trajnuan për mënyrën e përdorimit të tyre.

Por, drejtuesit e asaj kohe në Ministrinë e Arsimit mohuan që ky fakt të ishte i vërtetë. E njëjta histori po ndodh edhe sot, por me një ndryshim, pasi janë vetë burimet në Ministrinë e Arsimit, të cilët pohojnë se pajisjet nuk janë funksionale dhe se do të hidhen në koshat e mbeturinave.

“Për të testuar aparaturat janë thërritur specialistë të teknologjisë. Pasi i instaluan të gjitha një më një, asnjë prej detektorëve apo zhurmuesve, nuk ishte në gjendje pune. Në momentin kur na u komunikua kjo e vërtetë e hidhur u shqetësuam për një fakt të tillë, por nuk na mbetet gjë tjetër, përveç se t’i hedhim në ‘mbeturina’. Janë plot 120 milionë lekë, që janë paguar për t’i pasur këto pajisje, duke iu referuar deklaratave të drejtuesve të mëparshëm. Është gati e pamundur që t’i besojmë kësaj logjike, pasi nuk ka sesi të paguhet për një mall që nuk është funksional. Ajo që është e sigurt është se ish-drejtuesit i kanë përdorur paratë për interesat e tyre, jo për të blerë pajisje në shërbim të nxënësve, siç edhe u premtua”, shpjegojnë për gazetën “Shqip”, burime nga Ministria e Arsimit.

Nuk dihet ende nëse pajisjet, që bllokojnë valët e celularëve do të zëvendësohen ose jo me të reja, por ajo që theksojnë burime në MAS, është se masat e sigurisë gjatë maturës së këtij viti do të jenë tejet të rrepta, duke nisur nga testet që do të dërgohen me postë në shkolla, për të vazhduar me administrimin e provimeve.

Denoncimi

Në muajin maj të vitit 2013, një ditë përpara zhvillimit të provimit të letërsisë, një prej mësuesve, që një javë përpara kësaj date, u trajnua për mënyrën e përdorimit të zhurmuesve dhe detektorëve, thanë se asnjëra prej tyre nuk punonte. Sipas tyre, ato ishin provuar për të matur gjatësinë e valës, por kishte rezultuar se nuk ishin funksionale. Por, për të fshehur këtë të vërtetë, ministri i Arsimit në atë kohë, Myqerem Tafaj, dha urdhër që aparaturat të mos çmontohen, për të krijuar idenë se janë në gjendje pune dhe se funksionojnë krejt normalisht.

“Unë kam qenë pjesë e procesit të Maturës Shtetërore që prej vitit 2009, si administrator. Vitin e kaluar, mori jehonë të madhe risia e futjes së detektorëve dhe zhurmuesve në sistemin e maturës, për të evituar çdo parregullsi dhe mundësi për të kopjuar. Por, ato nuk punonin. Të gjithë drejtuesit në atë kohë e dinin këtë gjë dhe prapëseprapë këmbëngulnin se lajmet që qarkullonin lidhur me këtë fakt ishin të pavërteta. Është e vërtetë që zhurmuesit u instaluan, por nuk ndizeshin. Në atë kohë, madje, ngritëm dyshime edhe për zhvillimin e tenderit, nëse ka pasur ose jo një të tillë, nëse është marrëveshje e kompanisë fituese me MASH-in për disa para më shumë”, theksoi mësuesi i matematikës”, në maj të vitit 2013, periudhë kur nxënësit po i nënshtroheshin procesit të maturës.

Tenderi

Procedurat teknike të zhvillimit të tenderit në Ministrinë e Arsimit nisën zyrtarisht në shkurt të 2013-s, ndërsa afati i fundit për të marrë oferta nga kompanitë e interesuara për të qenë pjesë e garës, ishte data 23 mars.

Fondi që ministri i Arsimit, në atë kohë, Myqerem Tafaj, kishte vënë në dispozicion për blerjen e zhurmuesve dhe detektorëve ishte 200 mijë euro në total, ndërsa kompania që do të fitonte tenderin, duhet të ofronte çmim sa më të ulët në raport me të tjerat në garë. Në total numri i pajisjeve që do të ofronte firma duhet të ishte 2210, nga të cilat 2 mijë zhurmues dhe 210 detektorë. Sipas tyre, numri i detektorëve është i njëjtë me numrin e shkollave publike, ku do të zhvillohen provimet e maturës, duke qenë se rrezja e tij është e mjaftueshme edhe për hapësira të mëdha, pa qenë e nevojshme për 2 apo 3. E kundërta do të ndodhte me numrin e aparaturave që ndërpresin valët e celularëve, zhurmuesve, që janë më të shumtë në numër për shkak se varen nga rrezja e veprimit të tyre, nga madhësia e klasës, si edhe nga hyrjet apo kthesat e ndërtesës.

Top Channel