Në një kohë kur çështja Gërveni ka prodhuar debatet e radhës mes Presidencës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Top-Channel zbulon një letër që Kristaq Gërveni i ka dërguar eprorëve të tij në Tiranë.

Nga teksti kësaj letre dërguar më 4 mars 2014 duket qartë se Kundëradmiral Gërveni ishte koshient për mbarimin e mandatit e si pasojë ai kishte nisur të aplikonte për një vend civil (në nivel drejtori) që hapet më 1 shtator 2014 prqanë NATO-s, fakt për të cilin, shkruan ai, është në dijeni vetëm ambasadori ynë në NATO, zoti Leonard Demi.

“Unë e mbyll këtë pranverë mandatin tim këtu si Përfaqësues Ushtarak i Shqipërisë në NATO”, shkruan Gërveni. “Do të kisha shumë dëshirë që të vazhdoj në një punë tjetër si ushtarak, por nisur nga kushtet konkrete, përgatitem që të mbyll ndoshta edhe karierën time ushtarake. Do të ndjek proçeduren e largimit nga Forcat e Armatosura duke respektuar të gjitha ligjet dhe regullat në fuqi”, vijon Kundëradmirali.

Në vijim të letrës, Kristaq Gërveni shkruan: “Duke parë aftësitë e mia, kualifikimet dhe eksperiencën, kam dëshirë të provoj të punësohem në strukturën e NATO-s. Në politikën e NATO-s kërkohet mbështetja nga institucioni për kandidatët. Në rastin konkret, nga Agjencia NSPA më rekomandohet që t’ju drejtohem Juve Zoti Arian, për të mbështetur kandidaturën time.

Nëqoftëse e gjykoni se kandidatura ime është e përshtatshme për t’u përfaqësuar në Agjencinë e Mbështetjes së NATO-s, kërkoj mbështetjen tuaj. Nëqoftëse gjykoni ndryshe, ju lutem më bëni me dije që të tërheq aplikimin”, shkruan Gërveni në fund të letrës.

Shkarkimi i Kundëramiralit Gërveni
Presidenca: Shtabi i Përgjithshëm po ndërhyn në kompetencat tona

Po për këtë çështje reagoi Presidenca nëpërmjet zëdhëneses Arapi. Zëdhënësja deklaroi se shefi i Shtabit të Përgjithshëm Jeronim Baze ka tejkaluar kompetencat kur ka urdhëruar Kundëradmiral Gërvenin të kthehet në Atdhe pa dalë dekreti i Presidentit.

“Shefi i Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë përmes kërkesës që i adreson Kundëradmiralit Kristaq Gervenit për të zbatuar urdhrin administrativ të Ministrit të Mbrojtjes për t’u kthyer në Atdhe pa dalë Dekreti i Presidentit të Republikës, as më shumë e as më pak, po i kërkon këtij ushtaraku të lartë të braktisë detyrën.

I vetmi autoritet ligjor dhe kushtetues që urdhëron përfundimin e detyrës së Përfaqësuesit Ushtarak të Republikës së Shqipërisë në NATO është Presidenti i Republikës.

Shtabi i Përgjithshëm ka bërë një akt që nuk është pjesë e detyrave të tij, ka tejkaluar kompetencat; eshtë bërë interpret i kompetencave të Presidentit të Republikës, që është absolutisht e palejueshme;

është përfshirë në një debat me dy superiorë, Presidentin e Republikës dhe Qeverinë, çka është një dëmtim i hierarkisë shtetërore;

ka ndikuar në krijimin dhe shtimin e një konfuzioni ndërinstitucional, aq të papranueshëm dhe të dëmshëm, veçanërisht në periudhën që po kalojmë;

ka prodhuar propagande, që është një akt i pastër i njëanshmërisë politike, i paimagjinueshëm për një institucion ushtarak të një vendi pluralist, për më tepër anëtar i NATO-s”, deklaroi këshilltarja për mediat në Presidencë.

Top Channel