Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, gjatë një takimi me qytetarë në Saraj të
Shkupit ka thënë se nisma e partisë së tij për një president konsensual
ka për qëllimin të afrojë mes vete shqiptarët dhe maqedonasit, që me
vite jetojnë të ndarë.

Ahmeti ka ftuar shqiptarët të mos dalin në zgjedhjet presidenciale, deri sa ideja e kësaj partie nuk pranohet, ndërsa ka thënë se Iljaz Halimi nuk ka shanse për të fituar në këto zgjedhje.

“Ne vërtet jetojmë në një shtet, por jetojmë të ndarë dhe ne duhet të fillojmë të promovojmë figura personalitet që i afrojnë qytetarët e Maqedonisë, që i afrojnë shqiptarët me maqedonasit dhe anasjelltas. 20 vite janë bërë eksperimente, 10 vite e kam provuar edhe unë vetë personalisht, bënim sikur fitonim ne presidentin”, tha Ahmeti.

 Por, kandidati i PDSH-së për president Iljaz Halimi, tha se thirrja e Ahmetit për të bojkotuar zgjedhjet është e pakuptimë pasi në garë ka edhe një kandidat shqiptar.

“Në rrugë tonë ju e shihni se kanë dalë oponentët tanë me përcaktimin e tyre, me vendimin e tyre që qytarët shqiptarë të mos dalin të votojnë të vetmin kandidat shqiptar në këtë garë për kryetar shteti. Mendoj se kjo është e patolerueshme dhe e padrejtë”, tha Halimi.
 
Lideri i PDSH-së Menduh Thaçi në Sllatinë të Tetovës, ka thënë se kandidimi i Iljaz Halimi në këto zgjedhje është bërë për t’u pamundësuar kandidatëve maqedonas që të marrin votat e shqiptarëve.

“Çfarë do bënim, nëse nuk do të nxjerrim kandidat ne shqiptarët e vërtetë, jo Ali Ahmeti? Në ditën e zgjedhjeve më 13 prill në këto zona ku jetojmë ne, Ivanovi ose Pendarovski do të merrni mbi 50 mijë vota dhe cfarë do të bënim, do të akuzoheshim mes nesh se fushatën e kanë bërë UDBASH-ët. Kandidatura e profesor Iljazit e ndal këtë turp”, u shpreh Thaçi.

Në bllokun politik maqedonas, kandidati i LSDM-së për president Stevo Pendarovski ka thënë se Maqedonisë i nevojiten njerëz të rinj për ta nxjerrë vendin nga kriza në të cilën e ka futur qeveria e Gruevskit. Nga ana tjetër, kandidati i VMRO-DPMNE-së për president Gjorgje Ivanov, tha se fitorja e tij në zgjedhje do të jetë konfirmim për politikën e drejtë të tij në 5 vitet e kaluara.

Top Channel