Rreth 25 fëmijë të shtruar në Pavionin e Onkohematologjisë në Shërbimin e Pediatrisë në QSUT, që nga kjo javë do të rinisin mësimet e lëna përgjysmë nga mesues të vënë në dispozicion nga Drejtoria Arsimore e Tiranës me qëllim që të mos humbin vitin shkollor si pasojë e qëndrimit të gjatë në spital.

Programi i mësimdhënies për fëmijët e shtruar u arrit përmes një bashkëpunimi mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Arsimit.

Ilir Beqja, Ministër i Shëndetësisë: Janë atashuar nga Drejtoria Arsimore e Tiranës mësues që do t’i ndihmojnë që të mbajnë të gjalla njohuritë që kanë marrë në shkollë në mënyrë që kur të shërohen t’i rikthehen shkollës pa krijuar boshllëqe në formimin e tyre arsimor.

Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit dhe e Sportit: Le të jemi pranë për t’u mundësuar atyre një copëz shkollë në këto mjedise specifike sic janë të kurimit në spital.

Pavioni i Onkohematologjisë ku mjekohen fëmijë me sëmundje të rënda gjaku si talasemia, leucemia dhe hemofilia vuan prej vitesh mungesën e medikamenteve specifikë për trajtimin e këtyre patologjive.

“Kemi mungesa në medikamente. E kemi thënë edhe në analizën vjetore që po presim të realizohen tenderat”, thotë Anila Godo, shefe e Pavionit të Onko-Hematologjisë, QSUT.

Por Ministri i Shëndetësisë ka garantuar se situata do të normalizohet me prokurimet që do të kryhen në QSUT gjatë muajit prill. Sipas Ministrit të Shëndetësisë trajtimi i sëmundjeve të rënda si tumorët kanë zënë një vend të rëndësishëm në listën e barnave të rimbursueshme ku me një fond prej 8.4 mld lekë të reja këtë vit janë shtuar edhe 56 barna të reja duke e çuar në total listën e barnave të rimbursueshme në 477 medikamente.

Top Channel