Partia Demokratike Shqiptare ka hedhur akuzat e radhës ndaj kreut të BDI-së Ali Ahmeti, se bashkë me familjarët e tij po e plaçkitin Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Sipas PDSH-së, xhahai i kreut të BDI-së, ish-prorektori i USHT-së Ismail Ahmeti, përveç pagës mujore, ka marrë nga ky institucion rreth 10 mijë euro honorare për një periudhë të shkurtër kohore.

Këto akuza anëtarja e kryesisë qendrore të PDSH-së, zonja Sadije Iljazi, i ka mbështetur në disa dokumente për të cilat tha se, dëshmojnë honoraret që në mënyrë të paligjshme i ka marrë ish-prorektori Ahmeti.

“Pyesim publikisht Ali Ahmetin dhe xhaxhain e tij Ismail Ahmeti, përse e plaçkitni USHT-në dhe paratë e studentëve? Në vend që me këto para ta përmirësoni standardin e studentëve, ju e keni sjellë USHT-në në vend të 12.000-të dhe të fundit ndër universitetet në Maqedoni. Zoti Ahmeti, bashkë me Ismail Ahmetin dhe të tjerët që i ke në USHT, a jeni të vetëdijshëm për krimin që jeni duke bërë ndaj arsimit shqip? Vrisni të tashmen dhe ardhmërinë e kombit. Ftoj publikisht Ali Ahmetin në emër të studentëve, që të japë llogari për këtë krim të familjarëve të tij në USHT”, deklaroi Iljazi.

Menjëherë pas këtyre akuzave ka reaguar partia e Ali Ahmetit, BDI. Përmes një reagimi me shkrim, kjo parti thotë se akuzat janë e vetmja gjë që PDSH mund t’u ofrojë shqiptarëve në këto zgjedhje në mungesë të ofertës dhe arsyeve për kandidimin e Iljaz Halimit për president. BDI e vlerëson të padenjë këtë mënyrë konkurrimi politik, në kushtet kur shqiptarët mezi presin të dëgjojnë ofertat e partive politike.

Më tej në reagimin e partisë së Ali Ahmetit thuhet se, PDSH duhet të sqarojë opinionin nëse janë të vërteta shkrimet në media se kreu i kësaj partie, Menduh Thaçi, përfiton mbi 2 milionë euro në vit nga qeraja që i mundëson kompania “Interpromet”.

Top Channel