Sateliti tajlandez zbulon pjesë të avionit

27/03/2014 00:00

Një satelit tajlandez ka zbuluar rreth 300 objekte në një zonë në jug të Oqeanit Indian, ku po kërkohet për avionin e humbur të “Malaysia Airlines”.

Pamjet janë bërë nga satelit Thaichote më 24 mars, një ditë pasi imazhet nga një satelit francez treguan 122 objekte mbi ujë.

Pamjet e fundit të satelitit tajlandez janë publikuar në gazetën “The Nation” dhe thuhet se tregojnë rreth 300 objekte që lundrojnë, në një zonë rreth 2.700 kilometra në jug-perëndim të Perthit dhe rreth 200 kilometra nga zona e vëzhguar nga sateliti francez. Gazeta citonte zyrtarë që thoshin se informacionet u kanë kaluar ekipeve malajziane të kërkimit.

Ndërsa pamjet franceze tregonin objekte deri në 23 metra të gjata dhe ishin të parat që sugjeronin zonën ku mund të kishte rënë avioni sesa objekte të tjera më të izoluara. Ato janë konsideruar si më të besueshmet deri tani.

Avioni u zhduk më 8 mars me 239 persona në bord. Deri tani nga oqeani nuk është rekuperuar asnjë objekt apo pjesë e tij. Kërkimet me avionë nga ajri u ndërprenë në ditët e fundit për shkak të motit të keq dhe pashikueshmërisë. Ndërkohë, anijet po vazhdojnë përpjekjet pavarësisht kushteve të këqija atmosferike.

Korrespondenti i BBC në Kuala Lumpur deklaron se pamjet e fundit janë një provë thelbësore që sugjerojnë se pikërisht në këtë zonë të vështirë mbi Oqeanin Indian avioni është rrëzuar.

Kryeministri malajzian deklaroi të hënën se sinjalet satelitore tregonin se avioni ishte rrëzuar në jug të Oqeanit Indian dhe se asnjë nga pasagjerët nuk ka mbijetuar.

Top Channel