Karavani elektoral i BDI-së ka ndaluar në Dibër, ku lideri i kësaj partie Ali Ahmeti ka shpalosur nevojën për një president konsensual në Maqedoni dhe ka ftuar qytetarët të mos dalin në zgjedhje më 13 prill për të votuar, pasi koha për kandidatët e njëashëm për president ka kaluar.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti është ndaluar edhe në çështjen e shumëpërfolur rreth devijimit të lumit Radikë. Ai para dibranëve ka garantuar se devijimi i rrjedhës normale të ujërave të lumit Radikë nuk mund të ndodhë, pasi ky lum sipas Ahmetit, ka rëndësi të veçantë për shqiptarët.

“Radika nuk është lumë dhe grykë si të gjitha lumenjtë dhe grykat tjera. Radika për shqiptarët është edhe simbolikë, edhe krenari. Asgjë s’i ndodh Radikës. Unë jam në kontakt me shtetet, me ministritë ku ka pas të deleguar të qeverisë, ministra.  Asnjë vendim dhe asnjë cënim nuk mund t’i bëhet Radikës. Asgjë nuk i ndodh”, deklaroi Ahmeti.

Por, disa media në Shkup, kanë raportuar se Ahmeti në Dibër u prit me protesta, nga një grup qytetarësh të cilët kundërshtojnë projektin për ndërtimin e hidrocentrali në Fushë të Lukovës, me të cilin parashikohet devijimi i lumit Radika.

Qytetarë e revoltuar citohet të kenë thënë se ideja për president konsensual dhe temat për të cilat flet Ali Ahmeti janë të parëndësishme për dibranët, karshi problemit të Radikës.

Top Channel