Presidenti serb, Tomisllav Nikoliç ka deklaruar se luftërat në Serbi kanë marrë jetën e një të tretës së popullatës dhe se tashmë vendi është përpara reformave për një jetë më të mirë.

Në një postim që ka bërë në rrjetin social Twitter, Nikoliç ka thënë se Austria ka qenë shembull për Serbinë me krijimin e një shteti modern dhe se historia e ka mësuar vendin e tij se, asnjë popull nuk duhet të turpërohet me bëmat që ka bërë dikush në emër të tij.

“Për Serbinë nuk ka më luftëra. Luftërat kanë marrë jetën e një të tretës së popullit tonë, kanë ndryshuar strukturën tonë gjenetike, ndërkohë që nuk kemi marrë atë që na ka takuar, edhe pse ishim në anën e fituesit. Për këtë arsye, për neve nuk ka më luftëra”, ka thënë Nikoliç, i cili ndodhet për një vizitë në Austri.

Ndërkohë, Beogradi zyrtar ka dënuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se trupat serbe kryen genocid ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës, duke i cilësuar ato si të pasakta, të papërgjegjshme e që nuk ndihmojnë në normalizimin e marrëdhënieve.

“Pyesim Thaçin dhe bashkësinë ndërkombëtare, si t’i quajmë krimet masive ndaj serbëve në Kosovë e Metohi, për të cilat askush nuk është përgjigjur dhe autorët e tyre prej dekadash janë pa emra e mbiemra? Si ta quajmë rrëmbimin e 300 serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë, që sipas raportit të Dick Marty janë transportuar në Shqipëri, ku më vonë u janë marrë organet dhe shitur gjithandej në Europë?”, thotë Beogradi, që përmes këtij reagimi tenton të mbulojë krimet e veta ndaj shqiptarëve.

Top Channel