Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi i ka bërë thirrje oponentit të tij politik Ali Ahmeti, që t’i përgjigjet me argumente pyetjeve që ia parashtron nëpër tubimet elektorale dhe të mos e tensionojë situatën duke bërë sulme dhe fyerje personale ndaj tij dhe PDSH-së.

“Për 12 vjet nuk e bëri ligjin për pjesëmarrësit e konfliktit të 2001-shit, gjuhën shqipe nuk e zyrtarizoi, nuk e realizoi përfaqësimin e drejtë sipas Marrëveshjes së Ohrit. Në 6 vjet na gënjeu me udhëtimet e tij si turist se do ta detyrojë VMRO-në dhe Gruevskin që ta ndërrojë emrin, por nuk e bëri”, ka deklaruar Thaçi.

“Të gjithë ne shqiptarët e dimë se në krahasim me 12 vjet më parë xhepat i kemi 12 mijë herë më bosh. Ata kanë shkatërruar biznesin dhe ekonominë. Çdo biznes i madh, i mesëm dhe i vogël nga kjo politikë tërësisht e gabuar është shkatërruar”, ka vijuar ai.

Ndërkohë, në një takim me banorët e Studeniçanit të Shkupit, kandidati i PDSH-së për president, Iljaz Halimi ka deklaruar se shqiptarët e Maqedonisë kanë nevojë për ndryshime në presidencë, sepse janë të lodhur me politikën anti-shqiptare të kreut të shtetit.

“Shqiptarët kërkojnë të kenë një president i cili do të interesohet për interesat e tyre. Një president i cili do t’i thotë ndal ligjeve diskriminuese dhe të dëmshme për shqiptarët. Unë garantoj se nëse zgjidhem president do të jem i të gjithëve, në radhë të parë i shqiptarëve dhe i të tjerëve që jetojnë në Maqedoni”, ka thënë Halimi.

Ndërkohë, kandidati i LSDM-së për president, Stevo Pendarovski ka kërkuar nga qytetarët që në raundin e parë të zgjedhjeve të dëshmojnë vullnetin për ndryshim.

Nga ana tjetër, presidenti aktual Gjorgje Ivanov, i cili garon edhe për një mandat, ka thënë se prioritet i tij në pesë vitet e ardhshme do të jetë zhvillimi i vendit dhe tërheqja e investimeve të huaja.

Top Channel