Transparenca financiare

28/03/2014 00:00

Që Shqipëria të thithë më shumë investime të huaja, ekspertë në fushën e kontabilitetit bëjnë thirrje për transparencë më të madhe financiare.

“Nëse kompanitë e huaja vlerësojnë mundësinë e investimeve në Shqipëri dhe mund të bazohen në informacionin financiar të siguruar nga partnerët lokalë, kjo do të bëjë që ata të vendosin të investojnë në Shqipëri. Pra pa një informacion transparent dhe të besueshëm, ju do të vuani në tregun e investimeve të huaja direkte dhe sa i përket përputhshmërisë së stadardeve dhe rregullave të Bashkimit Europian”, tha Patrick Corrigan, Drejtues i Projektit  të Bankës Botërore.

Në konferencën ndërkombëtare ‘Një Kuadër për Kualifikimin Profesional për Kontabilistët dhe Audituesit Shqiptarë’, kryetarja e Bordit të Mbikqyrjes Publike Adriana Berberi vuri theksin tek nevoja e forcimit të procesit të licensimit.

“Për cilësi të lartë në profesione të tilla që ndihmojnë në mirëqeverisjen e koorporatave, përmirësimin e administrimit publik, formalizimin e ekonomisë duhet të forcojmë procesin e licensimit përmes rritjes së cilësisë së testeve dhe mbikqyrjes”, deklaroi Berberi.

Sipas ekspertëve kjo do të kërkojë përmirësim të kurrikulës arsimore dhe harmonizim të kornizës së re të kualifikimit me standardet e BE-së.

Top Channel