Në zgjedhjet presidenciale të 13 Prillit në Maqedoni garojnë katër kandidatë. Pas një shorti të hedhur në Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, u vendos që i pari në fletën e votimit të radhitet kryetari aktual Gjorgje Ivanov.

Ai i është futur garës edhe për një mandat presidencial, i kandiduar për të dytën herë nga partia më e madhe maqedonase, që i takon qendrës së djathtë, VMRO-DPMNE.

Ivanov është 54 vjeç, wshtw diplomuar në Fakultetin Juridik në Shkup, ku më pas ka vazhduar karrierën e tij si ligjërues deri në vitin 2009, kur u zgjodh për herë të parë si president i Maqedonisë. Partia që e ka kandiduar ka shprehur vlerësime pozitive për punën e tij në mandatin e parë.

Opozita maqedonase dhe partia shqiptare në pushtet BDI janë shprehur të zhgënjyera nga puna e tij, ndërsa PDSH-ja e Menduh Thaçit, asnjëherë nuk e ka njohur për president të Maqedonisë.

I dyti në fletën e votimit do të radhitet Iljaz Halimi, shqiptari i vetëm që merr pjesë në garën presidenciale, i kandiduar nga PDSH-ja. Ai është 60 vjeç dhe ka një karrierë të bujshme politike. Ndër funksionet më të rëndësishme që ka ushtruar, janë posti i zv/ministrit të Mbrojtjes dhe i nënkryetarit të Kuvendit të Maqedonisë. Ai thotë se nëse fiton në zgjedhje do të jetë president i të gjithë qytetarëve dhe do të luftojë për të ndërprerë politikën antishqiptare të kreut shtetëror në Maqedoni.

51-vjeçari Stevo Pendarovski është kandidati me të cilin partia më e madhe maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, i futet garës për president. Pendarovski është profesor i Sigurisë Ndërkombëtare, Politikës së Jashtme në një universitet privat në Shkup.

Në të kaluarën ka qenë këshilltar për sigurinë i dy presidentëve, Boris Trajkovski dhe Branko Cërvenkovski, si dhe ka ushtruar postin e kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Në opinion nuk njihet për deklarata nacionaliste dhe, për këtë shkak, ai po synon të marrë vota edhe nga shqiptarët, edhe nga komunitetet e tjera minoritete në Maqedoni.

Kandidati i katërt në këto zgjedhje është profesori Zoran Popovski, i cili është kandiduar për president nga partia e vogël, Iniciativa Qytetare për Maqedoninë. Ai është 62 vjeç dhe në opinion njihet më shumë për “background” akademik. Për këtë parti të re, zgjedhjet presidenciale janë shumë të rëndësishme, pasi është hera e parë që merr pjesë në një proces zgjedhor.

Ndërkaq, partia më e madhe shqiptare, BDI, nuk do të marrë pjesë me kandidat të vetin në zgjedhjet presidenciale. Ajo vlerëson se ka kaluar koha e presidentëve të njëanshëm dhe se Maqedonisë i nevojitet një president konsensual, që do të ketë mbështetje nga të gjitha komunitetet. Meqë kjo nismë e BDI-së nuk u pranua, kjo parti fton shqiptarët të mos dalin në zgjedhje.

Top Channel