Partitë politike në Maqedoni kanë pritur afatin e fundit për të dorëzuar të shtunën në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve listat e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare që mbahen më 27 prill.

“BDI sot dorëzoi për 9 njësitë zgjedhore, për 6 njësitë zgjedhore në Maqedoni dhe 3 në diasporë. Me këtë mënyrë ne bëhemi partia e parë shqiptare që shtrihet në tërë territorin e Maqedonisë. Janë lista që në përbërje kanë kuadro që kanë mbajtur mbi supe tyre proceset demokratike kombëtare në Maqedoni”, deklaroi Abdilaqim Ademi, shef i shtabit zgjedhor të BDI-së.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve brenda 48 orëve do të konfirmojë nëse listat janë në pajtim me përcaktimet e Kodit zgjedhor ndërsa partitë në një afat të shkurtër kohor partitë mund të bëjnë eliminimin e parregullsive eventuale.   Fushata elektorale për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare nis më 5 prill dhe zgjat 20 ditë. Drejtuesit e KSHZ-së apelojnë për fushatë korrekte.

“Meqë ne kemi zgjedhje të shpeshta në Maqedoni, besoj që partitë politike janë të pjekura të udhëheqin fushatë të qetë demokratike, thotë Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.

Gara më e fortë mes subjekteve shqiptare në këto zgjedhje parlamentare do të zhvillohet në njësinë zgjedhore numër gjashtë,  për shkak se shumica e votuesve në këtë njësi janë shqiptarë.

Bartës të listave për deputet në njësinë e gjashtë janë caktuar liderët partiak, Ali Ahmeti i BDI-së, Menduh Thaçi i PDSH-së dhe Rufi Osmani i RDK-së.  Parlamenti në Shkup ka 123 ulëse. Nga çdo njësi zgjedhore në Maqedoni dalin nga 20 mandate, ndërsa diaspora përfaqësohet me tre deputet. Partitë shqiptarët në zgjedhjet e kaluara kanë marrë 25 mandate. 15 deputet BDI-ja, 8 PDSH-ja dhe dy RDK-ja.

Top Channel