Angli, legalizohen martesat gay

29/03/2014 00:00

Që nga mesnata në Angli dhe Uells janë legalizuar martesat e personave të të njëjtës gjini. Ceremonia e parë martesore mes cifteve gay ka ndodhur në mesnatë në qytetin bregdetar të Brighton-it.

Kryeministri britanik David Cameron i përshëndeti martesat e para në Angli dhe Uells si gjeste që dërgojnë mesazhe të fuqishme për barazinë në Britani. Pavarësisht nga kundërshitmi në radhët e partisë së tij konservatore, për shkak të besimit katolik, parlamenti britanik miratoi  ligjin në korrik të vitit të kaluar.

Cameron tha se reforma  ishte e domosdoshme, pasi sipas tij, “kur dashuria e njerëzve ndahet përmes ligjit, atëherë është ky ligj që lipset të ndryshojë”.

Ciftet gay janë lejuar që nga viti 2005 të hyjnë në “partneritet civil” mes tyre. Numri i vendeve që kanë lejuar legalizmin e martesave të njerëzve të të njejtit seks është rritur ndjeshëm që kur Holanda e ndërmori veprimin e parë në këtë drejtim në vitin 2000.

Ndërkohë janë aktualisht 17 vende që lejojnë ciftet gay të martohen. Kisha Katolike i kundërshton ashpër martesat e njerëzve të të njëjtit seks, por edhe pse ka një ndryshim në qëndrimet e njerëzve në këtë pikë, sërish sipas një sondazhi te BBC, një e pesta e britanikëve do të refuzonin një ftesë për të marrë pjesë në një martesë të tillë.

Ndër vendet që përbëjnë Britaninë e Madhe, përvec Anglisë dhe Uellsit, që e legalizuan martesat gay, Skocia e ka miratuar një ligj të ngjashëm në shkurt dhe martesat e para të këtij lloji priten në tetor, ndërkohe Irlanda e Veriut nuk ka ende plane për një ligj të tillë.

Top Channel