Eurozonë, inflacioni në mars 0.5%

31/03/2014 00:00

Agjencia evropiane e statistikave, EUROSTAT vlerëson se kuota e inflacionit është më poshtë objektivit prej 2 për qind të vendosur nga Banka Qendrore Evropiane.

Kuota është gjithashtu më e ulët se 0.6 për qind, e parashikuar nga analistët. Kjo rënie e paparashikuar rrit shqetësimet se blloku prej 18 anëtarësh i monedhës së përbashkët rrezikon një periudhë deflacioni.

Shifrat për muajin mars të EUROSTAT konsiderohen fillestare, që do të thotë se mund të rishikohen më vonë në muajt e ardhshëm. Gjithësesi, bëhet fjalë për muajin e gjashtë rresht që kuota e inflacionit është nën 1 për qind.

Edhe analistët besojnë se rënia mund të detyrojë Bankën Qendrore Evropiane që të ndërmarrë veprime, duke filluar nga e enjtja e ardhshme.

Në takimin e fundit të saj, që u mbajt më herët gjatë muajit, BQE i la normat e interesit në 0.25 për qind dhe nuk mori masa të reja për të nxitur rritjen e brishtë ekonomike të Eurozonës.

Megjithatë, presidenti i BQE-së, Mario Draghi deklaroi atëherë se banka mund të ndërmarrë aksione nëse parashikimet për eurozonën përkeqësohen.

Analistët kanë sugjeruar se BQE mund të shkurtojë normat e interesit edhe më tej, ose të blejë më shumë bonde, sipas skemës së Federal Reserve të SHBA.

Ekonomisti Marin van Vliet deklaron për BBC se rënia përtej parashikimeve e inflacionit duhet të nxisë bisedimet për më shumë lehtësi monetare nga ana e Bankës Qendrore Evropiane.

Top Channel