OKB: Japonia të ndalë gjuetinë e balenave

31/03/2014 00:00

Japonia humb betejën e saj me Australinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe tashmë do t’i duhet të ndalojë krejtësisht gjuetinë e balenave në Antarktikë.

Vendimi i marrë nga gjykata e Kombeve të Bashkuara mbërriti pas denoncimit të Australisë e cila pretendonte se Tokio po abuzonte me pikën e memorandumit të nënshkruar në vitin 1986, që lejon gjuetinë e balenave vetëm për shkaqe studimore.

Mbi këtë pikë, Japonia ka nisur gjuetinë e balenave që prej vitit 2005, ku raportohet se ka kapur të paktën 3600 balena, mishi i të cilave është shfrytëzuar komercialisht në Japoni.

Antarktika është në listën e zonave ku ndalohet gjuetia e balenave për të shmangur shfarosjen e tyre. Sipas memorandumit të nënshkruar në vitin 1986, në këto zona gjueti e balenave lejohet vetëm për shkaqe studimore.

Autoritetet japoneze deklaruan se do të respektojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por shprehën rezervat e tyre për të. Sipas Tokios, balenat e llojit minke nuk janë në zhdukje, përkundrazi oqeanet janë të mbipopulluara me to.

Japonia zotëron një ndër flotat më të fuqishme tregtare në botë dhe gjuetia e balenave është njëri prej aktiviteteve më fitim-prurës në këtë sektor.

Top Channel