Ministrat e Financave të Eurozonës i dhanë dritën jeshile këstit të radhës prej 8.3 miliard eurosh, pjesë e huasë madhore për Greqinë.

Vendimi u njoftua nga kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem në përfundim të takimit të Ministrave të Financave të zonës së monedhës së përbashkët të zhvilluar në Athinë.

Kësti është ndër të fundit për qeverinë greke. 6.3 miliard euro të tjera do të jepen në fund të këtij muaji, ndërsa dy këste të tjera prej 1 miliard eurosh do të lëvrohen për Athinën në qershor dhe korrik.

Përpara takimit, qindra protestues u mblodhën në sheshin Sintagma, të shndërruar tashmë në vendin simbol të kundërshtimit të politikave shtrënguese nga ana e qeverisë.

Pavarësisht të dhënave ekonomike dhe financiare optimiste të muajve të fundit, Greqia, vend që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, vazhdon përballjen e saj me krizën e borxheve.

Parashikimet janë që për herë të parë, pas gjashtë viteve tkurrje të ekonomisë, vendi të shënojë rritje të saj.

Kësti i radhës mbërrin në një kohë kur parlamenti me një grusht votash më shumë miratoi një plan për të tjera reforma shtrënguese, të kërkuara nga kreditorët ndërkombëtarë si kusht për marrjen e huasë.

Me progresin e shënuar në zbatimin e reformave, Athina shpreson që të bindë kreditorët e saj që të lehtësojnë barrën e huave duke ulur interesat e huasë si dhe zgjatjen në kohë të shlyerjes së borxhit.

Opozita dhe grupet e majta kundërshtojnë politikat shtrënguese dhe bënë thirrje për protesta masive. Sipas tyre qytetarët qytetarët ndodhen në periudhën më të errët që pas Luftës së Dytë Botërore për shkak të masave të mëdha shtrënguese.

Së bashku me Spanjën, Greqia figuron vendi me papunësinë më të lartë në Bashkimin Europian, me shifra rekord që kapin 27 përqind të forcës aktive.

Top Channel