Rama-Merkel: Optimizëm për statusin

01/04/2014 00:00

Gjermania një nga vendet kryesore të Bashkimit Europian dhe ku Kryeministri Rama është duke zhvilluar vizitën më të rëndësishme në 6 muajt e para të qeverisjes së tij, do të ketë qasje pozitive ndaj statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në qershor.

Deklarata është e Kancelares Angela Merkel pas takimit me Kryeministrin Rama që nisi me ceremoninë zyrtare të nderimit ushtarak në Kancelarinë gjermane.

Deklarata përpara medias e kancelares Merkel dhe Kryeministrit Rama u fokusua tek qendrimi i Gjermanisë në qershor për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë.

E pyetur nga Top Channel nëse ka një trajtim të diferencuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku Serbia është në procesin e negociimit për anëtarësim dhe Shqipëria nuk e ka marrë ende statusin e vendit kandidat, zonja Merkel u përgjigj:

“Ne i trajtojmë vendet në bazë të raportit të Komisionit Europian. Në qershor do të marrim një raport të ri. Komisioni do t’i ketë regjistruar përparimet atje dhe ne do t’i shikojmë me vështrim pozitiv dhe do të vendosim me vështrim pozitiv. Çështja nuk shtrohet a do ta marrë Shqipëria statusin. Çështja shtrohet se kur do ta marrë.  Pra, varet nga raportet që na vijnë”.

“Vendi ynë është në Europë dhe ne do të bëjmë gjithcka që ne ta meritojme atë respekt dhe atë vend që shqiptarët aspirajonë dhe që me ndihmën e Gjermanisë, Kancelares dhe të partnerëve europianë ne t’ua japim duke bërë detyrat tona në një proces që nuk është i shkurtër. Por ne jemi të vetëdijshëm se integrimi është një proces i jashtëzakonshëm për modernizimin e Shqipërisë”, deklaroi Rama.

Pjesë e diskutimeve të Kryeministrit Rama me Kancelaren Merkel ka qenë edhe bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve. E pyetur nëse do të rriten investimet gjermane në Shqipëri, Merkel tha se investimet gjermane kërkojnë një vend ku drejtësia është më funksionuese, për të cilën Rama garantoi që do të bëjë gjithcka për të thithur investimet e huaja në Shqipëri.

“Kryeministri do të ketë bisedime edhe me investitorët gjermanë. Ne do t’i inkurajojmë ata të vijnë në Shqipëri. Për investitorët gjermanë, për investitorët privatë ka shumë rëndësi siguria juridike. Ata duhet të kenë besim tek sistemi juridik dhe prandaj ne këmbëngulim shumë te reforma në drejtësi. Jo sepse e konsiderojmë të bukur që të funksionojë si duhet sistemi juridik, por ne kemi shumë sipërmarrje të mesme në Gjermani, të cilat varen shumë nga fakti që ta investojnë kapitalin e tyre atje ku gjejnë dhe kushte të mira. Sa më shpejt të reformohet sistemi juridik, aq më i madh dhe aq më i shpejtë do të jetë edhe interesi i investitorëve gjermanë për Shqipërinë”, tha Merkel.

“Ne jemi shumë të dëshiruar dhe do të bëjmë gjithçka për të krijuar kushtet, për të tërhequr sa më shumë investime gjermane në Shqipëri. Investimet gjermane në Shqipëri, ne i shohim jo vetëm si burim të ardhurash, por edhe si një instrument të transformimit të kulturës së sipërmarrjes dhe të kulturës së punës. E për këto arsye, i konsiderojmë me një vlerë të dyfishtë. Prandaj do të vazhdojmë kontaktet edhe me sipërmarrjen këtu dhe kemi planifikuar për të çuar më tutje këto kontakte”, tha Rama.

Sa do të ndikojë vizita e Edi Ramës në Berlin për rritjen e investimeve gjermane në Shqipëri, kjo mbetet për t’u parë, por ajo që është e sigurtë është fakti që zonja Merkel, Kancelarja gjermane do të vizitojë brenda vitit Shqipërinë.

“Po të më pyesni pas një viti, unë do të kem qenë në Shqipëri”, u përgjigj Kancelarja gjermane.

Top Channel