Një javë nga ‘fikja’ e Windows XP

01/04/2014 00:00

Një javë na ndan nga dita kur Microsoft do të fikë serverat që përditësojnë automatikisht të gjithë kompjuterët anembanë botës me sistem operimi XP.

Miliona përdorues të këtij versioni të Microsoft janë në panik dhe druhen se pas 8 prillit, kompjuterat e tyre do të jenë pre e lehtë për kriminelët kibernetikë dhe më vulnerabël për viruset.

Frika është me të drejtë. Gjatë gjithë historisë së tij, që nga 2001 kur doli për herë të parë në treg, sistemi i sigurisë së Windows XP është mbrojtur dhe riparuar falë përditësimeve automatike të siguruara nga vetë kompania e Bill Gates.

Kur këto përditësime të mungojnë, mundësia që hakerat të gjejnë ‘porta të lira’ për të hyrë në sistem rritet goxha.

Megjithatë, ekspertë të sigurisë kompjuterike qetësojnë disi, duke thënë se nëse përdoruesit tregohen të vëmendshëm dhe të zgjuar në programet dhe faqet që lundrojnë në internet, gjithcka mund të funksionojë normalisht.

Windows XP është sistemi operativ më jetëgjatë dhe më i përhapuri në historinë e Microsoft. I ofruar në tre paketa, Service Pack 1, Service Pack 2 dhe finali Service Pack 3, ai u pasua nga Windows 7, ndërkohë që së fundmi kompania e Bill Gates ka hedhur Windows 8 jo vetëm për kompjuterë, por edhe për tabletë dhe telefona inteligjentë.

Top Channel