Historia e Beratit përmes muzeve

01/04/2014 00:00

2400 vjet qytet, i cilësuar si një muze i madh në natyrë, Berati është një ndër qytetet më të lashta e më të bukura të Shqipërisë. Muzeu “Onufri” dhe Muzeu Kombëtar Etnografik janë pasuria e qytetit që për çdo vit kuriozon shumë turistë shqiptarë e të huaj.

Në koleksionin e muzeut “Onufri” janë rreth 173 objekte, ikonat janë realizuar nga piktorët më të njohur ikonografë shqiptarë që u përkasin shekujve XIV-XX siç është Onufri, Nikolla, i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica si dhe shumë piktorë të tjerë të njohur, por edhe anonimë.

Muzeu Etnografik është i organizuar në një banesë me arkitekturë popullore beratase. Në katin përdhe është imituar pazari mesjetar në qytetin e Beratit.  

Në qendër kalon rruga dhe në të dy anët e saj janë dyqanet me qepena të qendistarëve, kazanxhinjve, xhokaxhinjve, kujunxhinjve dhe opingarëve.

Lidhja me katin e dytë është bërë me shkallë guri. Çardaku zë vendin qendror në banesë.
Çardaku i vendosur në qoshe të ndërtesës është një nga mjediset më karakteristike të arkitekturës popullore.

Dhoma e tezgjahut shërbente për kryerjen e të gjitha punimeve për nevoja vetjake.
Krahas punës në tezgjah, gratë mbanin e tundnin fëmijët në djep, ndërkohë që edhe gatuanin.

Dhoma e miqve në fshat pasqyron traditën popullore të zonës së Beratit. Në qendër është vendosur sofra e kompletuar me pajisjet e të ushqyerit. Në katër anët e dhomës, janë sergjenët.

Kuzhina është në pozicionin qendror të banesës, midis dhomës së fshatit dhe asaj të qytetit. Kuzhina e merr ndriçimin nga sipër, nga baxhaja. Në kuzhinë janë vendosur të gjitha enët e përdorimit të përditshëm mbi sergjenët dhe te vatra.

Më pas vjen dhoma e miqve në Berat. Dhoma e kompletuar me oxhak, me dy kamare anësore, me vatër tipike, me musendër dhe me dollape muri, flet për një traditë të veçantë të ndërtimit dhe banimit në periudhën e Mesjetës së vonë.

Megjithatë, në muajt në vazhdim priten ndryshime. Nëpërmjet projektit IPA Adriatik do të bëhet rikompozimi i të dy muzeve të Beratit në mënyrë që të jenë sa më atraktivë për të rritur turizmin dhe frekuentimin nga të gjitha grupmoshat.

Do të bëhet aplikimi i guidës audio me QR kod, duke u përdorur në mënyrë të pavarur nga vizitorët i gjithë informacioni në tre gjuhë. Nga institucioni do të ofrohen aparate që mund të merren me qira për personat që nuk kanë pajisjet e duhura.

Top Channel