Ai është një zotëri 74-vjeçar. Jeton vetëm në një prej lagjeve të Tiranës, por vetes nuk ja lejon asesi një jetë vetmitari. Sami Dedja është një njeri shumë aktiv e përpos së gjithash punon për të bërë një jetë dinjitoze.

Ai kujdeset vetë për gjithçka që një zonjë shtëpie do të mund të bënte. Nga koha kur bashkëshortja e Samiut u nda nga jeta, ai filloi të përkujdesej për mbarëvajtjen e jetës së përditshme: pastrim, larje, estetikë… Dhe kjo gjë nuk e bezdis aspak, përkundrazi…

“Jam mësuar dhe nuk më bën përshtypje as pastrimi dhe as kuzhina. Edhe oborrin e mbaj shumë pastër”, thotë Samiu.

Një nikoqir i vërtetë, siç do thoshte populli, për këtë zotëri në moshë të tretë. Ai gatuan për merak e jo gjellë të thjeshta, por petë të holluara me shumë mjeshtëri dhe këtë gjë ja ka mësuar nevoja në mungesë të bashkëshortes.

“Më merrte malli për byrek dhe e nisa në fillim me vështirësi, por u mësova. Gjithmonë i bëj vetë petat”, tregon i moshuari.

Nga mëngjesi deri në mbrëmje Samiu kujdeset që gjithçka përreth tij të jetë në vendin e duhur, e pastër dhe që dora e gruas të mos mungojë askund në shtëpi. Tek e fundit, përveçse nevojë, ky aktivitet ditor është si një lloj sporti për të: “Nuk mërzitem pasi kështu unë kaloj edhe kohën.”

Me duart e tij të arta dhe me dëshirën për të bërë gjithçka, Samiu mirëpret shumë njerëz që bujtin në banesën e tij.

Top Channel