Athina zyrtare ka deklaruar se është tepër e kënaqur pasi ka marrë dritën jeshile për lëvrimin e këstit të radhës prej 8.3 mld euro në samitin dyditor të ministrave të Financave të BE në kryeqytetin grek.

Në fokusin e vetë samiti ka pasur edhe gjendjen e sistemit bankar të Unionit, financimin e ekonomisë dhe aspektet sociale në Eurozonë, si papunësia dhe varfëria për shkak të krizës ekonomike.

“Për Greqinë po,jam shumë i kënaqur. Unë mendoj se vendimet e tjera te mëdha nuk  po merren ende për shkak se disa vende duhet ti diskutojne ato me pare ne parlamentet e tyre”, ka deklaruar Janis Sturnaras, ministër i Financave.

Strunaras ka deklaruar gjithashtu se brenda dy muajve të ardhshëm, Greqia do të dalë në tregjet financiare ndërkombëtare, me emëtimin e bondeve me kohëzgjatje 3-5 vjet, interesi i të cilave ka rënë jashtëzakonisht, një shenjë kjo e besimit të tregjeve ndaj ekonomisë greke në rimëkëmbje.

Nga ana e tij edhe Berlini zyrtar ka konfirmuar se është i gatshëm të ndihmojë Greqinë në një moment kur në shtypin grek thuhet se kryeministri Samaras i ka kërkuar vetë ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schauble që të rishihet çështja e reduktimit të borxhit kolosal të Greqisë.

“Reformat që ka kryer Greqia meritojnë respekt dhe po kështu edhe përpjekjet të cilat duhet të bëjë. Tregjet po e vlerësojnë këtë zhvillim dhe bankat greke sërish mund të financojnë vetveten në treg. Pra, mënyra është e qartë për Bundestagun gjerman për të diskutuar mbi një financim të mëtejshëm të Greqise”, deklaroi Schauble.

Si një mbështetje e madhe për reformat që po zbaton Greqia dhe që me siguri do të ndihmojnë kryeministrin Samaras në prag të zgjedhjeve lokale dhe ato të Parlamentit Evropian, konsiderohet vizita e kancelares Merkel në Athinë më 11 prill.

Ndërsa shumica e grekëve të thjeshtë fajësojnë BE-në dhe FMN-në për gjashtë vitet e reçesionit nga masat shtrënguese dhe papunësinë në nivelin e 28%. Nuk kanë munguar gjatë zhvillimit të samitit protesta në qendër të Athinës, ku demonstruesit që kanë hedhur përulla anti-qeveritare dhe kundër BE-së, janë përleshur me forcat policore.

Top Channel