Një karrige për shkrimtarët është botimi i librit me fotografi në kujtim të shkrimtarëve shqiptarë më të mëdhenj të viteve të fundit.

Bëhet fjalë për një objekt të thjeshtë, të shndërruar në simbol kur ndër vite kanë lënë autografet e tyre shkrimtarë shqiptarë të kohës. Disa prej tyre jetojnë, të tjerë nuk janë më mes nesh. Projekti i përket fotografit Roland Tasho, autor i më shumë se 60 ekspozitave fotografike. Ai ishte së bashku me karrigen e tij të shenjtë i ftuar në emisionin e Pasdites.

Tasho rrëfen nisjen e projektit të tij dhe dilemën për të përdorur një karrige apo një makinë shkrimi.

“Lindi si projekt në vitin 1987. Nuk zgjodha një makinë shkrimi pasi ishte e vështirë për t’u transportuar, pak e ftohtë dhe nuk kishte se si të firmosnin shkrimtarët. Pas një konsultimi me kolegët dhe me shkrimtarët arrita në përfundimin se karrigja do të ishte zgjidhja më e mirë si vendi ku ulen shkrimtarët për punën e tyre”, thotë ai.

Fotografi i mirënjohur rrëfen gjithashtu edhe vështirësitë e hasura gjatë rrugës deri në botimin e librit me fotografi të shkrimtarëve që kanë hedhur autografin e tyre mbi karrigen.

“Në vitin 2000 mbaroi procesi i parë që ishte ai i fotografimit. Pas një periudhë disa-vjecare, ajo që është kryesorja u gjet buxheti dhe u botua libri me përmbajtje fotografike. Një pjesë e tyre nuk janë më për shkak të moshës”, shton Tasho.

Dikush mund të thotë se kjo karrige është si vera, sa më e vjetër aq më me vlerë ka për të qenë. Pyetjes nëse ka patur oferta për ta shitur këtë objekt, fotografi iu përgjigj pozitivisht, por tha se pavarësisht tyre, ai kishte vendosur ta ruante për shkak të vlerës shpirtërore që ajo ka për të.

“E kanë kërkuar si objekt njerëz të ndryshëm që janë të interesuar për për ta blerë, botues librash, madje edhe Muzeu Kombëtar, por kjo karrige ka një vlerë shpirtërore për mua. Karrigja nga një objekt i thjeshtë është shndërruar në një objekt simbol”, përfundon Tasho.

Top Channel