Femrat e vrara, dhimbja që s’merr fund kurrë

02/04/2014 00:00

Historitë e tyre janë plot vuajtje, dhunim i përditshëm fizik dhe psikologjik, ndarje nga fëmijët, e më pas mënyra se si u merret jeta brenda një casti…

Përgjate viteve të fundit Shqipëria numëron qindra gra të vrara nga bashkëshortët, partnerët, etërit apo vëllezërit e tyre për arsye nga më banalet, për xhelozi të sëmurë, në kushte të vështira ekonomike, apo se përfliten në lagje për cështje morali.

Shumica e tyre janë ngjarje të paralajmeruara, ku cdokush e di për motrën, mamanë apo fqinjen që rrihet e masakrohet barbarisht. Vriten në fshatra dhe qytete, u përkasin shtresave të ndryshme shoqërore.

Lista e grave të vrara, fatkeqësisht sa vjen e rritet. Shumë prej tyre janë ngjarje që kanë tronditur opinionin publik.  Rastet e Erjeta Avdylit, Irena Selit, Aishe Vatës, apo kufomës së paidentifikuar të Zall-Herrit janë ngjarje të cilat nuk harrohen lehtë.

Por shumë të tjera, mbase me të njëjtën histori po aq të dhimbshme janë pasqyruar dhe kaluar pa shumë bujë dhe pa u vënë re.

E ndërsa ndjesia e hidhur që këto raste kanë lënë në shoqëri ka zgjatur për disa ditë ose muaj, për familjet e tyre këto janë tragjedi, dhimbja e të cilave nuk e njeh kurrë një fund.

***

Ishte pasditja e 30 marsit të vitit 2000 kur Erjeta Avdyli doli nga ambientet e punës për të mos u kthyer më kurrë në shtëpi. Pas dy muajsh kërkime intensive, më 13 maj, trupi i saj gjendet i dekompozuar në fshatin Romanat. I dyshuari kryesor për ngjarjen ishte bashkëshorti i viktimës, i cili pas disa muajsh u la i lire për mungesë provash.

E ëma e saj, Remzije Sokoli mes dhimbjes tregon në Pasdite në Top Channel: “Kanë kaluar 14 vjet dhe më duket se ajo po më kërkon llogari, po na kërkon llogari neve prindërve të saj për të gjetur të vërtetën e vrasjes”.

Ndërsa i ati i të ndjerës, Enes Sokoli thotë: 30 marsi i vitit 2000 është nata më e zezë e jetës time, sepse në atë natë u nda përgjithmonë vajza ime e dashur. Ka qenë e dhunuar gjatë gjithë viteve të martesës së saj, por për hir të fëmijëve, u përpoq të vazhdonte. Në 1998 ajo paraqiti kërkesën për divorc, por bashkëshorti i saj iu ul në gjunë dhe ajo me zemrën e madhe që kishte e fali. Por dhuna vazhdoi sërish duke arritur kulmin në vitin 2000. Ajo bëri denoncim në shoqatën e grave. Unë i shkruajta një letër Ministrit të Brendshëm të asaj kohe 10 ditë para krimit. I thashë: Parandalo një vrasje!

I moshuari tregon gjithashtu ditët e zeza pas vrasjes së vajzës së tij dhe përpjekjet për të vendosur drejtësi.

“U bë një gjyq dhe në kohën kur autori mbahej në burg kishte prova, por prokuroria i shkatërroi vetë ato”, shton ai.

Prindërit fatkeqë të Erjetës shprehën bindjen se vrasësi i vajzës së tyre është bashkëshorti i saj dhe askush tjetër.

Sevim Arbana është një aktiviste kundër dhunës ndaj grave dhe e ftuar në Pasdite rrëfen përvojat e saj me cështjet në fjalë dhe shpresat për dërgimin e këtyre dosjeve në Gjykatën e Strasburgut me bindjen e gjetjes së drejtësisë, sipas saj, të munguar në Shqipëri.

“Në 2006 nisëm një fushatë ndërgjegjësuese dhe pika jonë ka qenë është edhe do të jetë drejtësia. Ai është shkopi magjik, sepse njerëzit sot në këtë vend vuajnë padrejtësinë e drejtësisë. Vrasja e Erjeta Avdylit ka qenë këmbana e para e krimit ndaj gruas. Vrasja e Erjetës ka shokuar opinionin shqiptar sepse ishte një vrasje makabre e një gruaje intelektuale e cila e dinte se c’ishte dhuna dhe 1 javë para se të vritej kishte denoncuar qartazi kriminelin”, thotë ajo.

Ne kemi të paktën katër vjet, thotë zonja Arbana, që kërkojmë që dosja e Erjetës dhe dy grave të tjera të shkojë në Strasburg sepse janë përfaqësuese, janë shembuj tipikë të dhunës ndaj grave, krime tipike ku nuk është zbatuar fare drejtësia.

“Në dosjen e Erjetës janë marrë vendime qesharake gjyqësore, deri vjet kur është quajtur bashkëshorti i padenjë për trashëgiminë sepse i referehet gjithë historisë së dhunës që kjo vajzë ka kaluar. Drejtësia zvarrit këto dosje deri kur të mbyllen. Ne duam që të treja rastet, por dosja e Irenës dhe e Fiqeretes janë të zbehta, dhe për Erjetën kemi mjaftueshëm prova për ta bërë, për ta cuar në Strasburg. Unë kisha shumë shpresë tek një prokurore femër, por ajo nuk sfidoi, nuk i hyri sfidës së madhe të luftës kundër krimit ndaj femrave. Ne kemi dërguar letra të gjithë presidentëve, s’kemi lënë president që nga 2003, edhe sot i kemi bërë letër presidentit Nishani për Nazimen, vajzën që vrau pasi ishte vrarë disa herë”, deklaron ajo.

***

Irena Seli u zhduk në mënyrë misterioze në Portin e Durrësit mbrëmjen e 15 dhjetorit 2004. Gruaja po udhëtonte me bashkëshortin e saj me tragetin e linjës Trieste-Durrës. Nga dëshmitarët rezultoi se Irena ishte parë duke u ngjitur në traget, por nuk u pa më të dilte. I dyshuari kryesor për ngjarjen ishte bashkëshorti i viktimës, i cili pas disa muajsh u la i lirë për mungesë provash.

Daja i saj, Shefqet Dervishi, i lidhur shumë me të rrëfen në studion e Pasdites se mbesa e tij ka patur zënka martesore. “Irena ka qenë në traget, ka hipur në traget në Trieste, por nuk ka zbritur në Durrës. Unë kisha të dhëna që nuk shkonte shumë mirë me bashkëshortin, por ishin momente dhe shpesh pajtoheshin, ndërhyja edhe unë ndonjëherë”, thotë ai.

Apeli i tij është të ketë një informacion për Irenën. “Irena nuk dihet është vrarë. Ka ikur? Ku është? Nuk dimë asgjë. U përpoqëm në atë kohë me prokurorinë, por me prokurorinë nuk ia dilnim dot për shkak të korrupsionit dhe e lamë cështjen krejtësisht në dorë të tyre”.

Për aktivisten e grave, Sevim Arbana nuk ka pikë dyshimi, gjithcka është një vrasje e pastër e mirëmenduar.

“Ajo ësghtë vrarë. Është hedhur në det. Fakti që është regjistruar e futur në traget nga kamera, por në momentin që dalin pasagjerët është zhdukur e vërteton këtë. Kjo është pjesa e korrupsionit në drejtësi. Ndaj këto tre cështje ne do t’i cojmë në Strasburg. Rastin e parë si një rast të pastër dhune ndaj një gruaje, rastin e dytë si një krim të mirëfilltë me skenar ndaj një gruaje dhe rasti i tretë, vrasjen e së bijës nga babai”, thotë ajo.

Dhuna ndaj femrave nëpër botë

Femrat janë më të rrezikuara nga dhuna në familje e cila shpeshherë çon deri në vrasje, se sa nga kanceri, aksidentet automobilistike apo lufta.

Në këtë përfundim kanë arritur vit pas viti studimet e bëra nga organizatat për dhunën ndaj grave. Bashkëshorti, bashkëjetuesi apo partneri ushtron ndaj tyre dhunë psikologjike apo fizike, ku jo rrallëherë rezulton fatale për gratë.

Sipas një studimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë i shtrirë në 11 shtete, u arrit në përfundimin se në Australi, Kanada, Izrael, Afrikë e Jugut apo Shtetet e Bashkuara, 40 nga 70% e femrave që humbin jetën vriten nga partnerët e tyre. Ndërsa në Kolumbi cdo gjashtë ditë raportohet një grua e vrarë nga partneri apo ish-partneri i saj.

Organizata të tjera botërore kanë arritur në përfundimin se 4000 gra vdesin cdo vit si pasojë e dhunës në familje, ndërkohë që rreth 75% e viktimave rezultojnë të jenë vrarë nga përpjekja e tyre për të dalë nga lidhja apo martesa, ose pasi divorci është bërë.

73 % e meshkujve abuzues, janë abuzuar apo dhunuar në fëmijërinë e tyre. Por përse këto gra qëndrojnë edhe kur marrin sinjalet se historia e tyre e dhunës mund të përfundojë tragjikisht? Po sipas studimeve, tre janë arsyet kryesore: frika nga kërcënimet në rast se ndahen, mendimi për të mbrojtur fëmijët, si dhe shpresa se partneri do të ndryshojë sjellje.

Top Channel