Lona Alia Duncan, shqiptarja që vesh firmato gjysmën e San Franciskos

02/04/2014 00:00

Aulona Alia ishte 16 vjec kur u largua për në Amerikë me familjen për të nisur një jetë të re me më shumë mundësi.

Pasioni i vajzës nga Tirana ishte modelingu, por karriera e saj si modele dhe fotomodele e firmave të njohura si Versace dhe Gues mbetet një kujtim i bukur.  Lona i është kushtuar sipërmarrjes.

Pas përfundimit të studimeve për biznes në Universitetin “Xhorxh Uashington”, një vit më parë ajo krijoi kompanine e saj ‘Style Land’. Ideja për faqen e internetit ku mijëra gra mund të shkëmbejnë me njëra-tjetrën fustane mbrëmjesh pa pasur nevojë të shpenzojnë dhe të tejmbushin dollapin i lindi pikërisht në atë kohë ndërsa udhëtonte për në Paris.

Ndërsa “zvarriste” nëpër aeroporte valixhet e saj me shumë veshje, mendoi se do kishte qenë shumë më e thjeshtë nëse mund t’u merrte me qira veshjet që i duheshin atje vajzave pariziene që kishin të njëjtën gusto me to. Kështu dhe ajo s’do lodhej, dhe  mund të siguronte një garderobë të re me veshje firmato me shumë më pak para.

Një ide novatore mes modës e teknologjisë që e ktheu në projekt me të cilin fitoi cmimin e parë në konkursin ‘Start up’.

Kështu lindi “Style Land”, një biznes i ngritur në një faqe interneti ku ekspozohen fustane të cilat mund të ndihmojnë shumë vajza dhe gra si ajo për t’u dukur të veshura bukur dhe sigurisht me një cmim shumë të lirë.

Kompania ndihmon klientet për gjithcka, që nga ekspozimi e deri tek pastrimi kimik, transporti etj.

Një biznes me të cilin fitojnë të gjithë, ato që marrin hua dhe që veshin një fustan marke me shumë pak para, ato që marrin qiranë dhe që ndoshta nuk do e vishnin fustanin e shtrenjtë që e kishin blerë për një rast dhe kuptohet, kompania e Lonës që ndihmon në këtë proces.

Koncepti është duke u zhvilluar, aktualisht është përhapur dhe pëlqyer në San Francisko, ndërsa Lona i ka idetë e qarta për të vijuar në Nju Jork e më gjerë.

Top Channel