Gjatë vizitës së tij në Danimarkë, kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe delegacioni që e shoqëron janë ftuar në një darkë të shtruar nga kryetari i Parlamentit danez, Mogens Lykketoft.

Në fjalën e tij zoti Lykketoft u shpreh se Parlamenti danez nuk e quan ende të mbyllur procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.

“Ne këtu në Parlamentin danez jemi dakord se projekti europian nuk do të plotësohet kurrë pa integruar plotësisht edhe Ballkanin Perëndimor. Ju keni aplikuar për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Ne po presim të dëgjojmë rekomandimin e Komisionit Europian dhe shpresojmë që ju ta merrni statusin”, deklaroi Lykketoft.

Nga ana e tij, kryeparlamentari Meta theksoi dhe njëherë rëndësinë dhe qëllimin kryesor të vizitës së tij në Danimarkë.

“Më lejoni të shpreh mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe për kontributin shumë pozitiv që Danimarka jep në rajon, veçanërisht në Kosovë. Unë kam ardhur këtu për të siguruar bashkëbiseduesit tanë danezë se prioriteti kryesor në axhendën tonë kombëtare, politike dhe parlamentare dhe në axhendën e të gjithë spektrit politik është integrimi evropian i vendit dhe i të gjithë fqinjëve tanë në rajon”, theksoi Meta.

Gjatë kësaj vizite, zoti Meta u takua dhe me ministrin danez të Ushqimit, Bujqësisë dhe Peshkimit, Dan Jorgensen, ku temë kryesore e diskutimit ishte rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e bujqësisë.

Top Channel