Rama në Bruksel, takim me Fule

02/04/2014 00:00

Pas Berlinit, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, së bashku me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, i cili ndodhej në Bruksel për takimin 2-ditor të NATO-s, u pritën nga komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule.

“Shqipëria ka kapacitetin për të trajtuar me vendosmëri sfidat e saj të integrimit”, citohet zoti Fule në një deklaratë për shtyp të shpërndarë nga zyra e tij menjëherë pas takimit.

Sipas deklaratës, komisioneri ka vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për reformat integruese dhe aksionin e qeverisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Mësohet se zoti Fule ka inkurajuar palën shqiptare për konsolidim dhe intensifikim të mëtejshëm të reformave, sidomos për ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.

Ai ka bërë thirrje për rezultate të bindshme dhe solide, në kuadër të informacionit që do t’i përcillet Këshillit të BE-së përpara marrjes së një vendimi mbi Shqipërinë për statusin e kandidatit.

“Stefan Fule mirëpriti qëndrimin e qeverisë për një qasje gjithëpërfshirëse të reformave, bazuar në dialogun konstruktiv dhe përfshirjen e opozitës për arritje dhe qëndrueshmëri të reformave”, thuhet në njoftim.

“Statusi kandidat, me t’u dhënë, do të jetë njohja e punës për të gjitha shqetësimet. Duhet përdorur e gjithë energjia vitale në vend, përfshirë shoqërinë civile, për të ecur përpara me axhendën e BE-së”, citohet më tej zoti Fule.

Në këtë kuadër përmendet rëndësia e Dialogut të Nivelit të Lartë, ku takimi i radhës pritet të mbahet në fillim të qershorit, pak përpara mbledhjes së Këshillit të BE-së.

Top Channel