Po planifikonte një sulm me eksploziv ndaj një baze të NATO-s, arrestohet 17-vjeçari norvegjez
Malajzia nuk do të heqë dorë nga kërkimet për avionin e rrëzuar, deklaroi të enjten kryeministri Najib Razak teksa vizitoi zonën e kërkimeve pranë lokalitetit të Perthit.
Deklaratën e tij kryeministri e bëri në një konferencë shtypi me homologun australian Tony Abbott. Zoti Najib vlerësoi përpjekjet e deritanishme duke thënë se bashkëpunimi për zbardhjen e një tragjedie të rëndë u ka dhënë zemër të gjithëve.
Avioni i “Malaysia Airlines” u zhduk më 8 mars teksa udhëtonte nga Kuala Lumpuri për në Pekin dhe transportonte 239 pasagjerë. Që prej atëherë avionë dhe anije kanë bërë kërkime në jug të Oqeanit Indian, ku mjeti fluturues dyshohet të jetë përplasur.
Operacionet janë fokusuar në një hapësirë prej 221 mijë kilometra katrorë, 1.500 kilometra në perëndim të lokalitetit australian të Perthit. Por deri tani asnjë copë e avionit nuk është gjetur. Zoti Najib takoi ekipet e kërkimit në bazën Pearce RAAF të enjten në mëngjes, përpara se ato të niseshin në mision, dhe më vonë zhvilloi takimin me homologun Abbott.
“Zhdukja e avionit ka vënë në provë bashkëpunimin tonë. Të gjendur përballë fare pak provave, hetuesit nga Malajzia, Shtetet e Bashkuara, Britania, Kina dhe Australia kanë punuar së bashku pa ndërprerje për të verifikuar lëvizjet e avionit”, deklaroi Najib.
Ai falenderoi autoritetet australiane dhe grupet e dy vendeve dhe shtoi se pala malajziane nuk do t’i ndërpresë kërkimet. Autoritetet malajziane janë përballur me kritika të rënda sa i takon menaxhimit të operacioneve të kërkimit, kryesisht nga të afërmit e pasagjerëve kinezë që ndodheshin në bord, plot 153.
Ditën e enjte tetë avionë ushtarake dhe nëntë anije morën pjesë në kërkime. Autoritetet komunikuan se kushtet e motit ishin të mira, me një shikueshmëri deri në 10 kilometra.
Nëndetësja britanike “HMS Tireless” ndodhet gjithashtu në Oqeanin Indian dhe pritet t’i bashkohet kërkimeve të anijeve të tjera të Marinës Mbretërore.
Top Channel