Kilianët, ekspertë të mbijetesës ndaj tërmeteve

03/04/2014 00:00

Vendosja gjeografike në një prej zonave me aktivitet sizmik më të lartë në botë i ka shndërruar kilianët ndoshta në popullin më të përgatitur në përballëmin me sukses të këtyre sfidave.

Një ditë më parë vendi u trondit nga lëkundje me magnitudë 8.2 ballë të shkallës Rihter, një fuqi që po të ishte regjistruar diku tjetër, do të kishte rezultuar me pasoja katastrofike. Por në Kili vetëm gjashtë persona gjetën vdekjen dhe nga këta, vetëm katër i faturohen tërmetit, dy të tjerët ndërruan jetë aksidentalisht pasi lëkundjet kishin përfunduar.

Për ekserptët zbatimi strikt i rregullave të ndërtimit të godinave, pallatave apo ndërtesave të tjera publike, kultura e përgatitjes për cdo fatkeqësi e rrënjosur që në lindje i ka bërë kilianët specialistë të mbijetesës ndaj tërmeteve.

Përtej rregullave në ndërtim, janë edhe ato që quhen detaje, rregullat e emergjencës, mobilizimi për t’u transferuar në një kohë rekord, ku jo vetëm autoritetet apo grupet e emergjencës, por të gjithë njohin dhe zbatojnë me përpikmëri detyrat e tyre. Të dhënat nga tërmeti i së mërkurës raportuan rreth një milion të zhvendosur në një kohë rekord nga zonat bregdetare ku u dha alarmi për mundësinë e goditjes nga një tsunami.

Presidentja e vendit, Michelle Bachelet po të mërkurën vizitoi zonat e goditura nga tërmeti ku përgëzoi autoritetet vendore dhe qëndrore për përgjigjen e dhënë.

“Ky është një shembull për të gjithë ne se kur punojmë së bashku, në një mënyrë të menjëherëshme, kur zbatojmë planin që kemi vendosur në këto zona, dalim me sukses nga cdo fatkeqësi natyrore”, tha ajo.

Në qytetin port të Iquique-s u raportuan 2500 banesa më dëme serioze strukturore nga lëkundjet. Kili ndodhet në zonën me aktivitet sizmiologjik më të lartë në botë dhe në të shkuarën vendi është tronditur nga tërmete të fuqishme që kanë shkaktuar deri mijëra të vdekur.

Top Channel