NASA, fund pjesës më të madhe të angazhimeve me Rusinë

03/04/2014 00:00

NASA do të pezullojë shumicën e projekteve të përbashkëta me Rusinë, për shkak të veprimeve të kësaj të fundit në Ukrainë, por deklaroi se do të vazhdojë bashkëpunimin me agjencinë hapësinore të Rusisë sa i përket operacioneve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Vendimi i agjencisë hapësinore amerikane për ndaljen e “shumicës së angazhimeve aktuale” me kompaninë ruse “Roscosmos” vjen pas përshkallëzimit të tensioneve të lindura nga aneksimi prej Rusisë i rajonit jugor ukrainas, Krimesë.

Një deklaratë e publikuar nga NASA të mërkurën thoshte se agjencia hapësinore amerikane po vepronte në këtë mënyrë “për shkak të shkeljes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nga ana e Rusisë”.

Por, në deklaratë thuhej gjithashtu se ajo do të vazhdonte bashkëpunimin me “Roscosmos”-in rus për “të ruajtur sigurinë dhe operacionet e vazhdueshme në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës”.

Në vitin 2011, NASA tërhoqi flotën e saj të anijeve kozmike, mjetet e vetme të saj për të shkuar e për t’u kthyer nga SNH. Tashmë, kapsulat Soyuz të Rusisë marrin me vete astronautët dhe kozmonautët amerikanë, së bashku me pajisjet e nevojshme ndihmëse për një anije kozmike më të vogël.

Në deklaratën e saj, NASA apeloi për më shumë financime nga Kongresi, për të ndihmuar në rikthimin e fluturimeve hapësinore të menaxhuara prej amerikanëve.

“NASA është thellësisht e fokusuar në një plan për të kthyer misionet hapësinore humane në territorin amerikan, si dhe për t’i dhënë fund mbështetjes sonë te Rusia për të fluturuar në hapësirë”, thuhej në të.

“Ky ka qenë një prioritet i lartë për administratën e Obamës në 5 vitet e kaluara dhe nëse plani ynë do të ishte financuar tërësisht, do të kishim mundur tashmë të kthenim udhëtimet amerikane mbrapsht në Shtetet e Bashkuara, duke nisur që nga viti i ardhshëm”.

Top Channel