SHBA, hetim vrasjeve në Fort Hood

03/04/2014 00:00

Ushtria amerikane po heton nëse ishte trauma psikologjike shtysa e krimit në bazën ushtarake të Fort Hood-it në Teksas të Shteteve të Bashkuara, ku tre persona humbën jetën dhe 16 të tjerë u plagosën.

Emri i autorit nuk është thënë zyrtarisht, por media amerikane e identifikoi si 34-vjeçarin Ivan Lopes, i cili kishte shërbyer në Irak.

Nëngjeneral Mark Milli, komandant i bazës së Fort Hood-it, shpjegoi se “autori nuk kishte mbetur i plagosur gjatë kohës që kishte kryer detyrën në Irak në vitin 2011, por ishte kuruar për depresion, ankth dhe probleme të tjera”.

Ai kishte mbërritur nga një tjetër bazë në muajin shkurt dhe po kurohej me medikamente. Ngjarja ndodhi rreth orës 16.00 me orën lokale, të së mërkurës, në dy ndërtesa të bazës ushtarake.

Nëngjeneral Milli shpjegoi se, “ai kishte hyrë në njërën prej ndërtesave dhe kishte qëlluar me një pistoletë gjysmë-automatike të kalibrit 45”.

Më pas kishte marrë një makinë dhe kishte vazhduar të qëllonte, përpara se të hynte në një ndërtesë tjetër ku hapi zjarr sërish. Ishte pikërisht këtu, përballë një oficereje femër, që ai nxorri armën dhe qëlloi veten.

Ngjarja zgjati rreth 20 minuta. Nëntë prej të plagosurve ndodhen në reanimacion, tre në gjendje kritike. Presidenti amerikan Barack Obama u tha gazetarëve në Çikago se “ishte zemërthyer” nga sulmi dhe u zotua se “shpejt do të zbërthehet se çfarë ndodhi’. Ai tha se “Fort Hood-i ka sakrifikuar shumë për lirinë”.

Sulmi rizgjoi kujtime të hidhura për stafin ushtarak të bazës së Fort Hood-it, skenë e një incidenti të ngjashëm në vitin 2009, kur humbën jetën 13 ushtarë dhe 32 të tjerë u plagosën. Autori, majori Nidal Hasan u dënua me vdekje në shtator të vitit të kaluar për sulmin, më i rëndi në një bazë ushtarake në historinë e SHBA.

Një tjetër ushtar amerikan, Naser Jason Abdo u burgos përjetë sepse komplotoi për të hedhur në erë një restorant të mbushur me ushtarë në Fort Hood në vitin 2011. I lindur në Teksas dhe i kthyer në mysliman, ai tha se ishte frymëzuar nga majori Nidal Hasan.

Top Channel