Shefi ekzekutiv i Mozilla, kompania e mirënjohur për brouserin e saj
Firefox, ka dhënë dorëheqjen nga posti. Brendan Eich ishte caktuar në
detyrë vetëm muajin e kaluar, por u përfshi në një valë kritikash të
ashpra për shkak të këndvështrimit të tij për martesat mes së njëjtës
gjini.

Drejtuesja ekzekutive e Mozilla, Mithcell Baker konfirmoi vendimin në një njoftim online. “Mozilla krenohet me faktin se është në një standard më të lartë, por javën e kaluar kjo gjë nuk ndodhi”, shkroi ajo në blogun e saj.

“Ne e dimë përse njerëzit janë të lënduar dhe të indinjuar dhe ata kanë të drejtë sepse ne nuk i kemi qëndruar parimeve tona”, vijoi Baker. Drejtuesja madje ka kërkuar falje për vonesën në marrjen e vendimit që detyroi Eich të jepte dorëheqjen.

Ish-drejtuesi është tërhequr edhe nga bordi i Fondacionit Mozilla, organizata jofitimprurëse që menaxhon një pjesë të fitimeve të Mozilla Corporation.

Zoti Eich, që bashkëthemeloi Mozilla-n dhe ishte gjithashtu krijues i gjuhës JavaScript, bëri një donacion prej 1 mijë dollarësh në vitin 2008, në mbështetje të ligjit kundër martesave gay në Kaliforni.

Edhe pse ligji në fjalë fillimisht u miratua, ai u hodh poshtë më vonë nga Gjykata Supreme, në vitin 2013.

Top Channel