Kandidati presidencial i PDSH-së, Iljaz Halimi, në një takim me banorët e Bogovinës në Tetovë, ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ka ftuar shqiptarët të mos dëgjojnë thirrjet e tij për të bojkotuar zgjedhjet presidenciale të 13 Prillit.

“Shqiptarët nuk punojnë me direktiva, as më pak t’i dëgjojnë direktivat prej personit që erdhi me gjak në 2001 në Maqedoni, mori në qafë 500 të rinj shqiptarë, shkatërroi 500 shtëpi të shqiptarëve dhe çoi dëm 3 miliardë euro të shqiptarëve. Për 10 vite në pushtet, asnjë projekt kombëtar nuk ka realizuar”, tha Iljaz Halimi, kandidat i PDSH-së për president në Maqedoni.

Nga i njëjti tubim, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, tha se duke votuar Iljaz Halimin, shqiptarët i dërgojnë porosi Uashingtonit, Brukselit dhe Gruevskit, se janë popull i organizuar politik.

“Cili është qëllimi ynë? Ta rrëzojmë prej pushteti Ali Ahmetin, dhe të mos prekin asnjë shqiptar tjetër, as polic, as administrator, as profesor, as pedagog, askënd. Hapur u them të gjithë shqiptarëve, që janë të punësuar në institucione, pavarësisht cilës parti i takojnë, jeni të përkulur, u nënçmojnë maqedonasit. Fitorja e PDSH-së do t’ua kthejë juve krenarinë”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Ndërkohë, në një sondazh të realizuar nga agjencia Rejting, kandidati presidencial i LSDM-së opozitare, Stevo Pendarovski, radhitet i pari dhe gëzon përkrahjen e 37 përqind të qytetarëve të anketuar. I dyti në këtë sondazh është radhitur kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov, me 35 përqind, i treti Iljaz Halimi, me mbi 9 përqind, dhe i katërti është radhitur Zoran Popovski, të cilin e mbështesin vetëm 2% të qytetarëve të anketuar.

Por, sipas këtij sondazhi, fitoren do ta vendosin qytetarët e pavendosur, numri i të cilëve është shumë i lartë.

Top Channel