Mbajtëset e fëmijëve të rrezikshme?

04/04/2014 00:00

Vdekja e Eric Matthews, vetëm 5 javësh, në mbajtësen e bebeve që e ëma kishte të lidhur në trup, ka ndezur në Britani debate mbi sigurinë e atyre që njihen ndryshe edhe si “kanguret”. Këto vitet e fundit kanë njohur një popullaritet shumë të madh.

Fëmija u mbyt aksidentalisht gjatë shëtitjes që nëna e tij Mariane, vendosi të bënte me shpresën t’i qetësonte të qarat.

Hetuesit e çështjes raportojnë se 6 fëmijë kanë ndërruar jetë në këtë mënyre në Mbretërinë e Bashkuar, të paktën 16 vdekje të ngjashme janë regjistruar në Amerikë dhe Kanada.

Mes lotësh, Marianne Matthews rrëfeu në seancën dëgjimore, ku ishte i pranishëm dhe partneri i saj 48 vjeçar, se kishte mësuar nga manuali i përdorimit të mbajtëses si të poziciononte foshnjën në gjoksin e vet, në atë që supozohej të ishte mënyra më e sigurte.

Gruaja lëshoi një apel për të gjithë prindërit që përdorin mbajtëset e bebes: Nuk dua t’iu tmerroj, tha ajo, por kam përshtypjen se nuk jemi paralajmëruar për rreziqet që bart një situatë e tillë e ku pozicioni i bebes është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

35-vjeçarja mendoi se fëmija po flinte dhe nuk e kuptoi veçse shumë vonë që ai nuk lëvizte më. Kur Eriku u dërgua në spital, nuk merrte frymë dhe i kishte dalë gjak nga hundët. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fëmija nuk mundi të mbijetonte. Patologët që e ekzaminuan beben, sqaruan më vonë se të tilla vdekje shkaktohen zakonisht nga pozicionimi jo i duhur i fëmijës, i cili çon në asfiksim.

Top Channel