Rikthimi në shtëpi i Ermonelës

05/04/2014 00:00

Kishte kohë që, në një eveniment artistik në Tiranë, nuk shfaqej “krizë” për bileta. Së fundi, edhe në rrjetet sociale kishte shumë njerëz, të cilët kërkonin të gjenin një biletë për një shfaqje të titulluar “Madam Butterfly, që u rikthye në Tiranë jo vetëm si shfaqje, por riktheu edhe Ermonela Jahon.

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare u rikthye sërish në skenën shqiptare pas gati 7 vjetësh. Ermonela Jaho ka qenë e ftuar në studion e Revistës televizive të Mbrëmjes, për një intervistë me kryeredaktorin Pandi Gjata.

Pandi Gjata: Një shfaqje që ju emocionoi juve, emocionoi publikun e shumtë që mbushi sallën, do ta emocionojë sërish edhe të shtunën, sepse ju do të keni sërish një shfaqje… Si ishte për ju rikthimi pas kaq shumë vitesh në Tiranë, në skenën shqiptare, para publikut shqiptar.


Ermonela Jaho:
Rikthimi ka qenë shumë i pritur, më kishte munguar jashtë mase ai lloj emocioni sepse, edhe pse kam kënduar në të gjitha teatrot nëpër botë, emocioni që ndjen në shtëpinë tënde, kur flet me të njëjtën gjuhë – artisti flet me gjuhën e zemrës e të shpirtit, dhe flet një shpirt ballkanas ndaj një tjetër shpirti ballkanas – është jashtëzakonisht i madh. Parimi im gjithmonë ka qenë që në skenë të jem gjithnjë e sinqertë, e vërtetë, dhe e vërteta është ajo që prek publiku. Ndoshta këtë lloj të vërtete, të cilën unë e kam shprehur disa herë nëpër intervista, ose përmes materialeve të publikuara nëpër media me arritjet e mia, është ndjerë kjo lloj mungese apo nevoje shpirtërore për të qenë e pranueshme nga publiku shqiptar. Mungoj për disa arsye prej 7 vitesh, subjektive e objektive, si çdo gjë tjetër në vendin tonë që ka një problem dhe merr atë kohën e vet.

Pandi Gjata: Si ishte ajo që ti prisje dhe ajo që në fakt ndodhi?

Ermonela Jaho: Ajo që prisja, si një fëmijë pas rikthimit të një kohe të gjatë, doja vetëm dashuri dhe pranim. Do më mjaftonte edhe thjesht ky kthim të këndoja “Madam Butterfly”, një rol tepër dramatik, duke folur me atë gjuhën e pasionit të fortë e të zjarrtë që na karakterizon. Kuptohemi me njëri-tjetrin, qoftë artisti që e këndon, qoftë publiku që e percepton, dhe do më mjaftonte thjesht ky kthim. Por, mënyra se si ka reaguar publiku më ka surprizuar jashtë mase. Më duket sikur ai boshllëku në zemrën e në shpirtin e Ermonelës tashmë është zënë me atë gurin e rëndë në vend të vet. Ka qenë një reagim që më ka lënë pa fjalë dhe, pikërisht mbrëmë, kur kam kënduar në shfaqjen e parë dhe kur opera mbaroi dola të merrja duartrokitjet, ka qenë një lloj emocioni i magjishëm që nuk e shpjegoj dot veçse të them që është ajo gjuha që artisti ka me publikun. Jam ndjerë si një fëmijë i vogël, u përula për të falënderuar publikun, kolegët e mi – sepse ishte diçka që e bëmë të gjithë së bashku – nuk ishte vetëm Ermonela që këndoi, por i gjithë grupi.

Pandi Gjata: Si i gjete kolegët pas kaq shumë vitesh në Teatrin Kombëtar dhe si ishte ky bashkëpunim?

Ermonela Jaho: Të them të drejtën gjeta një ambient shumë dashamirës dhe, në momentin që secili prej nesh respekton punën e tjetrit dhe vlerësohet për atë që bën, pavarësisht nëse bën shumë a pak, të gjithë jemi unik dhe secili bën diçka. Në momentin që ti ia njeh një gjë të tillë kolegut tënd, secili prej nesh ka nevojë të pranohet apo të vlerësohet për atë që bën. Kur flitet kjo gjuhë mes kolegëve krijohet një lloj energjie dhe një lloj bashkëpunimi, gjë që e vura re që në ditën e parë, një sinergji me kolegët, korin, orkestrën, dirigjentin dhe regjisorin. Nuk ishim një person i vetëm, por ishim të gjithë së bashku për të shprehur këtë emocion dhe këtë të vërtetë, për të cilin kemi nevojë të gjithë, qoftë edhe të shprehur në skenë, secili në zhanrin e vet. E vërteta është fillimi dhe fundi i ekzistencës dhe të gjitha qeniet humane kanë nevojë për një të vërtetë e një emocion të sinqertë.

Pandi Gjata: Sikur t’i bëjmë një krahasim “Butterfly”-it në Tiranë dhe atyre që ti ke interpretuar në skenat operistike më të njohura të botës, si është ky?

Ermonela Jaho: Jam ndjerë si një fëmijë, më dukej sikur e këndoja për herë të parë. Që në momentin e hyrjes isha e rrethuar me dashuri, një sensacion magjik kaq të bukur, dhe në çdo moment më dukej sikur kolegët e mi apo stafi më prisnin me ato duart e hapura për të më përcjellë e për të më përkëdhelur në skenë.

Pandi Gjata: Ne kemi komunikuar prej vitesh bashkë dhe ka qenë rikthimi yt në Tiranë një prej dëshirave të tua, gjë që u përmbush. Pas pak orësh që është shfaqja e dytë para publikut, që sërish do të jetë një sallë e mbushur plot me njerëz, ndiheni më e qetë, një emocion më ndryshe, apo sërish me të njëjtin ankth si para shfaqjes së parë?

Ermonela Jaho: Sërish i njëjti ankth, por jo si në shfaqjen e parë sepse është publik tjetër dhe artisti kur e përsërit veten dy herë bëhet i mërzitshëm. Kështu që duhet gjetur diçka tjetër për t’i dhënë sërish atë zjarrin, pasionin, e për ta bërë më interesante. Për një artiste si mua, sa herë ngjitem në skenë, edhe pse të njëjtin rol mund ta kem luajtur me qindra herë, konsiderohet si herë e parë dhe herë e fundit që ngjitem në skenë, sepse duhet të rezonosh me publikun e spektatorin. Ky rezonim bëhet kur jepesh 100% e sinqertë në skenë dhe është e pamundur të mos prekë çdo lloj spektatori. Sidomos kur bëhet fjalë për emocionin që kam unë si shqiptare, përpara publikut shqiptar, është një dashuri totale.

Pandi Gjata: Të lidhi ndryshe emocionalisht me publikun, me Shqipërinë, kjo “Madam Butterfly” në Tiranë, por ne kemi artistë të njohur që njihen në të gjithë botën. Një mesazh që u jep të rinjve, sopranove të reja, tenorëve të rinj, apo gjithë të rinjve në botën e artit…? Sepse kur e dëgjojnë këtë mesazh prej Ermonelës, besoj se të gjithë janë sy e veshë te ju.

Ermonela Jaho:
Ajo që ka funksionuar për mua, sepse recetat nuk ekzistojnë, do të thoja se në momentin që gjithsecili prej nesh gjen atë mënyrën e të shprehurit, atë lirinë shpirtërore, në rastin tim nëpërmjet këndimit, duhet ta kapë fortë, të ketë një besim të jashtëzakonshëm dhe të bëjë një punë të jashtëzakonshme me dedikim thuajse patologjik. Kjo gjë duhet të bëhet një lloj ideali për jetën tënde dhe nëse shkohet në drejtim të këtij ideali me punë, besim e dedikim, është e pamundur që të mos arrish. Kjo është këshilla që unë mund të jap, që ka funksionuar për Ermonelën, dhe besoj se puna shpërblehet për këdo që ndjek ëndrrën e vet.

Pandi Gjata: Është një këshillë e mirë që vjen sidomos nga dikush që e ka përjetuar dhe e ka pasur gjatë viteve të karrierës së saj.

Ermonela Jaho: Dhe e përjetoj përditë, shoh ëndrrën e Ermonelës që rritet përditë. Nuk është më ajo Ermonela 14-15 vjeçare, edhe pse ëndrra është e njëjtë, por e shikon sepse ne ndryshojmë. Çdo ditë jemi më të vjetër, çdo ditë ke emocione të reja për të provuar dhe i shton asaj ëndrre diçka të re, duke mos u bërë asnjëherë e mërzitshme.  Ashtu siç sheh lulen teksa rritet, për të cilën kujdesesh përditë duke e ujitur, ashtu sheh edhe ëndrrën tënde që rritet së bashku me ty.

Pandi Gjata: “Madam Butterfly” ishte një gjë shumë e mirë që i ndodhi artit dhe kulturës në Tiranë. Pas Tiranës, ti do të udhëtosh dhe do të vazhdosh planet e tua. Cilat do të jenë skenat botërore në kalendarin, besoj të përcaktuar, për muajt në vijim?

Ermonela Jaho:
Po, janë të përcaktuara në vite, por shijoj përditë çdo gjë që bëj, apo shijoj të sotmen le të themi. Menjëherë pas “Butterfly”-t të dytë që do të jap këtu, të shtunën në Teatrin e Operas dhe të Baletit, nisem të dielën në Hamburg me të njëjtën shfaqje, por një produksion i ri. Më pas do të jem në Francë, në Lion, me “Simon Boccanegra”. Është një debutim në rolin e Amelie Grimaldit. Kthehem në Londër me “Bohemia”-n, me “Traviata”-n që hap sezonin në Paris, në Bastia. Më pas me “Ana Bolena” në Bolshoi të Moskës, “Traviata” në Vjenë etj. Por, përpiqem të shijoj çdo moment të bukur çdo ditë, sepse s’ka gjë më të bukur se sa kur shijon rrugëtimin tënd drejt suksesit, me vështirësitë dhe lehtësirat, sepse kjo të pasuron ty si artist. Sepse pas çdo fotografie, apo pas atyre luleve që na hidhen nëpër skena ka gjithnjë një sakrificë që ka mundësuar krijimin e bagazhit shpirtëror të një artisti.

Pandi Gjata: Nga shteti në shtet, apo nga kontinenti në kontinent, të detyron që ndoshta të bësh edhe një premtim për t’u kthyer më shpejt për një tjetër shfaqje në Shqipëri, për të mos lënë një pauzë kaq të gjatë.

Ermonela Jaho: Absolutisht po. Në këtë moment, mënyra se si u prit “Madam Butterfly”, dashuria e të gjitha ç’thamë më sipër më bënë që të ndihem gjigante, duke mbushur edhe boshllëkun në zemrën e Ermonelës. Ndihem me një lloj energjie të jashtëzakonshme, sa të jem gati të përballoj çdo lloj impenjimi që do vijë më pas. Do të kthehem përsëri me projekte të reja tepër interesante, por t’i komentojmë më mirë kur të bëhen konkrete. Por, do të kthehem përsëri, sepse më llastuan keq me këtë pritje.

Top Channel